“Albania 1” dhe “Albania 2”, gati për t’u lëshuar në hapësirë


“Albania 1” dhe “Albania 2”, gati për t’u lëshuar në hapësirë

10:46 16/10/2022

Rama: Dy sytë superteknologjikë do të monitorojnë Shqipërinë

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” që do të monitorojnë Shqipërinë në hapësirë janë gati për t’u lëshuar nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA.

Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale Kryeministri Rama, që i cilëson dy sytë superteknologjikë përmes të cilëve do të mbahet nën kontroll territori.

“Gati për t’u lëshuar në hapësirë nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA, dy sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2, satelitët e “ALBANIA 1” dhe “ALBANIA2”.

Dy satelitët do të marrin informacion gjeohapësinor dhe do të ofrojnë imazhe duke nisur nga ujërat, zjarret apo edhe titujt e pronësisë.

“Shqipëria do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj, e një sërë institucioneve e subjekteve, publike ose private, puna e të cilave lidhet me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane, prodhimin bujqësor, zhvillimin urban, titujt e pronësisë, e me radhë”.

Në 29 Shtator u nënshkrua kontrata me vlerë 6 milionë Dollarë përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc. “Albania 1” dhe “Albania 2” do të shërbejnë për një periudhë 3-vjeçare e përmes inteligjencës artificiale krahas parcelave me kanabis, Kryeministri paralajmëroi se synohet t’i jepet fund edhe fenomenit të mitmarrjes së inspektorëve në terren duke frenuar fenomenin e ndërtimeve pa leje.

Tv Klan









Të ngjashme