Vlora Hyseni, në krye të SHISH
Rama i dërgon propozimin Begajt
Kryeministri Edi Rama i ka paraqitur sot Presidentit të Republikës emrin e Znj.Vlora Hyseni, si propozim për drejtoreshë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Rama e dorëzoi personalisht kandidaturën e Hysenit tek kreu i shtetit mëngjesin e sotëm, kur u takua në zyrën e presidentit për 30 minuta.
Vlora Hyseni është nga Kosova, por me pasaportë shqiptare dhe prej 2 vitesh shërbente si këshilltare për Sigurinë e Kryeministrit Rama.
Por për Hysenin nuk është hera e parë që është zyrtare në Shërbimin Informativ. Për 4 muaj, deri në Korrik të vitit 2021, kur ajo u shkarkua nga Kryeministri Kurti me dekret të Presidentes Osmani, drejtonte Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, si e komanduar, edhe pse emërimin e kishte si zv/drejtoreshë.
Vlerësimet e Kryeministrit Rama për të janë të shumta. Ai shkruan në postimin ku lajmëron propozimin e emrit të saj tek Presidenti se ka besim të plotë që përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, shkruan Rama në Facebook.
Pas dorëheqjes së Helidon Bendos, Dhjetorin e vitit të shkuar, Shërbimi Informativ Shtetëror drejtohet nga numri dy i këtij institucioni, Oljan Kanushi.
Tv Klan