“Është sërish në anën e gabuar të historisë”

Ashtu si  të premten në seancën e jashtëzakonshme në Parlament, Edi Rama e tha sërish hapur se edhe për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, problemet vijnë nga i njëjti burim, Ilir Meta, dhe shkaqet lidhen me të njëjtën çështje, Reformën në Drejtësi.

“Ky është një konflikt i radhës, i shkaktuar nga një i njëjti burim konflikti për të njëjtat arsye që dihen. Por unë nuk mendoj që ne duhet të përfshihemi më tej në këtë konflikt dhe nuk mendoj që ky është një konflikt që mund të zgjidhet me beteja dhe me polemika në fushën e komunikimit, nuk dua që ne të përfshihemi në këtë konflikt si dy palë që japin e marrin bam e bum për çështje, të cilat nga njëra anë janë shumë të qarta dhe nga ana tjetër janë çështje që tanimë duhet t’i përkasin proceseve legjitime dhe ligjore. Sepse gjithçka që ne mund të bënim nga ana jonë, ne e bëmë dhe përsëris e kemi bërë të linjëzuar 100% me ata që janë mbështetësit dhe garantët e Reformës në Drejtësi, partnerët tanë, SHBA-ja dhe BE-ja. Është një tjetër rast kur ne jemi në anën e duhur të historisë, ndërsa, fatkeqësisht, Ilir Meta është edhe një herë tjetër në anën e gabuar të historisë”.

I pyetur nëse Presidenti mund ta shpërndajë Parlamentin me dekret, Rama përgjigjet me ironi.

“Më kujton atë që ju kam thënë më parë, Xhike Qamilin, që thoshte sa të kem këtë e atë katund nuk pyes për Francën dhe Anglinë”.

Për Kryeministrin, me rëndësi është platforma që mazhoranca po harton për të luftuar krimin e organizuar me një ligj special.

“Nga data 25 Nëntor do të prezantoj platformë kundër KÇK-së, që do të jetë një paketë e tërë ligjore mbi bazën e një ligji special kundër krimit të organizuar”.

Injoron çdo akuze që vjen për kryebashkiakët socialistë të prekur nga ligji i Dekriminalizimit. Sipas Ramës, mundësia e vetme qe t’i jepet fund rasteve si Valdrin Pjetri apo Agim Kajmaku, që gënjyen në formularin e Dekriminalizimit janë ndryshimet ligjore shton sanksionet për këtë vepër.

Pasi votoi për delegatët e Kongresit të Partisë Socialiste përmes elektronikes, Rama tha se përfshirja e teknologjisë në zgjedhje parlamentare e ato lokale, që ishte një kusht i demokratëve në  2017, është e mundshme të përdoren për votimin elektronik offline.

“Nuk është online, siç e dini, është offline, është mekanik dhe është i papenetrueshëm nga forcat e errëta”.

Për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë këtë mënyrë votimi, Rama tha se do të duhej që ai të ishte pilotuar që në zgjedhjet që shkuan.

Tv Klan