I ndodhur këtë fundjavë në Berat, Kryeministri Rama pa nga afër një ndër rrugët e qytetit të 1001 dritareve, atë “Mihal Komneno” e kthyer në identitet pas amortizimit ndër vite.

Kjo rrugë mundëson ngjitjen në zonën muzeale të kalasë dhe konsiderohet një arterie e rëndësishme që akomodon jo vetëm atelie të tregtimit të punimeve artizanale, por edhe shërbime hotelerie. Për Kryeministrin kthimi i shtëpive muzeale në bujtina do të shihet me prioritet nga qeveria e cila do të mundësojë dhënie grantesh për këdo që e sheh turizmin prioritet.

“Ne duam të bëjmë një program të veçantë, program rilindjeje të shtëpive të Gjirokastrës dhe të Beratit, si dhe të shtëpive tradicionale me vlerë si monument kulture në zona të tjera turistike, një program financimi ku t’iu jepet akses atyre që marrin këto iniciativa dhe t’iu lehtësohet nga pikëpamja e financimit i gjithë procesi. Mund të jenë fonde grant, mund të jenë fonde me kredi me interesa shumë të ulëta”.

Nga afër pa edhe një bujtinë të restauruar nga një emigrant i kthyer pas disa vitesh emigrimi, ambientet e të cilës ruanin arkitekturën e vjetër të shtëpisë muzeale.

Gjatë qëndrimit në qarkun e Beratit, Kryeministri Rama pa edhe kantierin e hapur për ndërtimin e ujësjellësit të Poliçanit, një investim ky prej 80 milionë Lekësh të reja që do të mundësojë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, 10 mijë banorë të zonës.

Një tjetër shkollë, ajo “Refat Keli” në Poliçan pas rikonstuksionit me parët e buxhetit të shtetit tashmë do t’u ofrojë nxënësve të saj ambiente tërësisht të transformuara.

Kreu i qeverisë ishte edhe në fshatin Rreth Tapi në Kuçovë ku pa nga afër punimet për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse në dy krahët e lumit Osum që do t’i japin fund problemit të përmbytjeve të përvitshme të tokave bujqësore të banorëve. Argjinatura pritet të jetë gati brenda dy muajve.

Ndërsa në fshatin Mbrakull në Poliçan 230 familjet fermere të kësaj zone tashmë kanë kanalin vaditës të munguar prej 3 dekadash, falë një fondi prej afro 30 milionë Lekë nga buxheti i shtetit.

Tv Klan