“Turizmi dhe ndërtimi i sjellin Shqipërisë rritje ekonomike”
Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia ka rindezur procesin e ngecur prej kohësh të zgjerimit të BE-së. Në dokumentarin e Real Economy i jepet përgjigje pyetjes se cila është forca shtytëse e ekonomisë shqiptare për ta bërë gati vendin dhe të aftë për të qenë pjesë e BE-së?
Ekspertet evropiane vënë në dukje se ekonomia e Shqipërisë pati një rimëkëmbje të fuqishme në vitin 2021, e cila vazhdoi në vitin 2022. Kjo pavarësisht tronditjes së trefishtë të një tërmeti të madh në 2019, pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë. Rritja reale e PBB-së për këtë vit parashikohet në 3.3 për qind.
Në rastin e Shqipërisë, në këtë raport thuhet po investon shumë në industrinë e ndërtimit dhe turizmit në një përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike. Kur pyetet për anëtarësimin e plotë në BE kryeministri shqiptar pranon se vendi nuk është ende gati, por kritikon Brukselin që ka vonuar hapjen e negociatave.
“Procesi i zgjerimi është keqkuptuar sepse në të vërtetë ka të bëjë me integrimin me bashkimin tonë me pjesën tjetër të kontinentit ku ne jemi pjesë thelbësore e tij. Jemi kombi më pro evropian bazuar në sonazhet e Brukselit. Është humbur shumë kohë duke mos na lejuar ne që të hapim bisedimet e pranimit që do të na ndihmojnë të vijojme me shtet ndërtimin demokratik dhe funksional. Për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit nuk është bërë aq sa duhet as në shtetet anëtare të BE-së. Ajo çfarë kemi bërë në këtë fushë është unike mes të gjitha shteteve që po negociojnë pranimin në BE.”
Rama veçon si arritje dhënien fund të pandëshkueshmërisë.
“Përgjegjësia ndaj ligjit tashmë është e qartë dhe kjo nuk varet nëse ju i përkisni një force politike në pushtet ose një partie që ka qenë dikur në pushtet. Nëse ju keni problem me drejtësinë, organet e drejtësisë do të vijnë tek ju që të përgjigjeni. Pa dyshim na duhet shumë për të bërë në këtë drejtim, na duhet kohë prandaj unë jam i vetëdijshëm se ne nuk jemi sot gati të bëhemi shtet anëtar i BE-së.”
Më tej në programin Real Economy thuhet se Shqipëria po shënon një histori suksesi në turizëm pasi po bëhet me shpejtësi destinacioni më i nxehtë turistik i Evropës.
Vendi mirëpriti një rekord prej 8.3 milionë turistësh midis janarit dhe shtatorit të vitit të kaluar, 0.8 milionë më shumë se 7.5 milionë turistë që priti në vitin 2022. Ky trend rritës parashikohet të vazhdojë.
Rrjeti hekurudhor i vendit po riparohet plotësisht me ndihmën e Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së (EIP) për Ballkanin Perëndimor.
Projektet hekurudhore do të kenë një ndikim të madh ekonomik, social dhe mjedisor, duke përmirësuar në mënyrë dramatike lidhjet e transportit brenda Shqipërisë, rajonit më të gjerë të Ballkanit dhe Evropës.
Pasi të përfundojë, një lidhje e re hekurudhore midis Durrësit dhe Tiranës, dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, do të shkurtojë udhëtimin rrugor prej 40 minutash në gjysmë në rreth 20 minuta.
Përveç rinovimit të rrjetit të tij hekurudhor, stacioneve të trenave dhe sistemit të sinjalizimit, EIP po përdoret gjithashtu për të zhvilluar projekte të energjisë së rinovueshme, si termocentralet diellore fotovoltaike, si dhe infrastrukturën dixhitale.
Klan News