Fëmijët e të punonjësve të rënë në krye të detyrës do të mbrohen me ligj të posaçëm që do të jetë ndër ligjet e para që do të miratohen nga qeveria e re “Rama 3”.

Në një aktivitet të mbajtur me infermierët në amfiteatrin e liqenit, Kryeministri Rama u shpreh se Republika e Shqipërisë do të kujdeset për fëmijët prindërit e të cilëve kanë rënë në krye të detyrës.

Ky ligj do të quhet “Fëmijët e Republikës”, tha Kryeministri Rama, për të cilët theksoi se shteti do të kujdeset deri sa të arrijnë moshën madhore. E në këtë pikë, kreu i qeverisë përmendi edhe infermierët/et që kanë humbur jetën në krye të detyrës nga Covid-19.

“Duke parë fotografitë e kolegëve tuaj që humbën jetën në këtë përpjekje, më duhet për ta përsëritur një angazhim që e kam marrë përpara datës së zgjedhjeve që vendimin e parë të qeverisë së re ne do t’ja kushtojmë atyre që i quajmë plot gojën fëmijët e republikës, vajzat dhe djemtë e të gjithë njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve, shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës. Fëmijët e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha nuk do të jenë vetëm pasi me këtë ligj të ri që ne do të miratojmë për ata deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë do të kujdeset Republika e Shqipërisë. Kur dikush bën një akt heorik siç ishte akti i atij djalit të ri që ishte dhe një babai i ri, që humbi jetën për të shpëtuar të tjerë nga flakët dhe gjëja që shteti bën si rezultat i vendimeve të marra më parë është ti dorëzojë në certifikatë dhe ti lidhi familjes një pension shumë modest. Kjo është më shumë se sa asgjë, por besoj se jemi më të mirë se kaq dhe mund të bëjmë më shumë se kaq si shoqëri dhe si qeveri. Prandaj është koha që jo vetëm t’i nderojmë këta njerëz të mirë edhe profesionistë të përkushtuar me titullin e Dëshmorit, por të marrim përsipër të kujdesemi për fëmijët e tyre”.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri foli edhe për procesin e vaksinimit në vend, për të cilin përgëzoi të gjithë infermierët e Shqipërisë. Nuk la pa përmendur as faktin se momentalisht Shqipëria renditet së bashku me Finlandën ndër 2 vendet që konsuderohen me risk të ulët në Europë.

“Është vërtetë krenari ta shikosh Shqipërinë në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve europiane për ritmin e vaksinimit, sikurse është kënaqësi të shikosh që Shqipëria me Finlandën janë dy vende që konsiderohen me riskun më të ulët në Europë për këtë moment. Kjo luftë nuk ka mbaruar dhe ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë tonën. Përtej rezultatit, qëndroni ju sepse jo vetëm organizimi që është meritë e ministres, por puna juaj çdo ditë në të gjithë sistemin e vaksinatorëve është fantastike. Disiplina, korrektesa, serioziteti, profesionalizmi është mbreslënës. Prandaj respektet e mia më të sinqerta për këtë fakt dhe padiskutim që ky fakt na jep shumë energji dhe na jep shumë besim më tepër akoma se në gjithë procesin e transformimit të shëndetësisë ne mund të mbështetemi te njerëz si ju”. /tvklan.al