Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mbyllja e kufijve, sidomos e linjave të fluturimit me Italinë, nuk do ta ndalte përhapjen e koronavirusit.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama theksoi se kufiri i Shqipërisë nuk mund të mbyllej më herët për shkak se do të godiste rëndë ekonominë.

“Ne kemi vepruar në kohën duhur sepse askush nuk ka reaguar me masa drastike përpra shfaqjes së virusit. Sepse masat drastike përpara shfaqjes së virusit nuk bën asgjë tjetër veçse godet rëndë zinxhirin ekonomik dhe nuk pengon virusin. Nëse mbyllja e kufijve do të pengonte virusin që të vinte në një vend, atëherë do të ishte e pamundur që të kishte ndodhur murtaja e Mesjetës. Asnjë vend nuk ka mbyllur kufijtë përpara shfaqjes së virusit në territorin e vetë”.

Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se masat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare janë të njëjta me ato të shteteve të tjera për situatën e koronavirusit.

“Faktikisht të gjitha vendet nuk kanë shumë zgjedhje sepse rruga është e njëjta. Ajo që ndryshon është intensiteti i marrjes së masave pas momentit të shfaqjes së virusit  në territor. Ne kemi zgjedhur një plan i cili është i mirëmenduar dhe përshkallëzimi i masave është i domosdoshëm, sepse ne dhe askush nuk mund të ndalë as arritjen dhe as përhapjen e koronavirusit. Përmes masave ne mund ta ngadalësojmë përhapjen dhe mund të garantojmë qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor. Rritja e temperaturave dobëson viruset dhe do të dobësojë edhe këtë virus”.

Pavarësisht masave të rrepta dhe ndalimit të qarkullimit të mjeteve private, Kryeministri Rama u shpreh se virusi do të prekë një pjesë të madhe të popullsisë, dhe këtu përmendi deklaratën e Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel.

“Virusi do të shpërndahet kudo ku ka për t’u shpërndarë. Kancelarja gjermane dje tha që 70% e popullit gjerman do të preket nga virusi. Këtu çështja është që nëpërmjet masave ne ulim intensitetin e shpërndarjes. Ne ulim numrin e rasteve që janë për spital. Dua të saktësoj diçka që është shumë e rëndësishme të përsëritet, vërtetë që virusi prek njësoj siç prek çdo virus. 80% e atyre që preken nga korona nuk ndjejnë asgjë.

Nuk ka skenar që mund ta bëjë njeriu që mund të ndalojë shpërndarjen. Këtu çështja është sa masat do të arrijnë që ta ngadalësojnë shpërndarjen, dhe duke ngadalësuar të arrijë të funksionojë sistemi. Ai 20% që do ketë shenja duhet ta dijë që nuk shkon i gjithi në spitall. 80% e tyre do ta kalojnë si një grip me disa siklete të gripit. Në atë 20% të këtyre ditëve ka një kurbë tjetër, që pjesa dërrmuese e atyre që nuk e kalojnë dot sprovën janë mbi moshën 65 vjeç. Asnjë i ri askush prej nesh nuk duhet t’ja lejojë vetes meqë kjo nuk na merr ne me vete, ne të jemi të pasjellshëm. Sepse ne kështu japim padashje kontribut që të tjerët pranë nesh të goditen. Nuk është e thënë që edhe të rinjtë të mos e pësojnë në qoftë se nuk ruhen”. /tvklan.al