Kryeministri Edi Rama mbajti sot më 11 tetor podcastin e tij “Flasim”, ku në qendër të diskutimit kishte turizmin.
Kreu i qeverisë theksoi se tashmë kemi rigjallërim ekonomik të zonave të ndryshme të Shqipërisë.
“Shumë zona që dikur ishin të braktisura, janë kthyer në një atraksion turistik. Ne kemi arritur të ndryshojmë shumë gjëra në Shqipëri, ndërsa në bulevardin e Tiranës vijojnë britmat artificiale”, tha kreu i qeverisë.
Në këtë podcast, dy sipërmarrës dëshmuan sesi janë kthyer në Shqipëri dhe kanë arritur që të ngrenë biznese të suksesshme, falë edhe boomit turistik në vendin tonë.
Ergi nga Përmeti rrëfeu se ka shkuar me bursë jashtë vendit.
Tregoi se ka bërë shkollën në Londër, ka ardhur në Shqipëri, punoi dhe se tashmë është duke ndërtuar një hotel në Përmet.
“Jashtë vendit ika me bursë. Unë zhvillova shkollimin atje, në Londër. Bëra shkollën e artit në Angli. Më pas erdha në Shqipëri, nisa punë në një kompani prestigjoze në vendin tonë. Ne po ndërtojmë tani një hotel në Përmet. Në fillim babai nuk më suportoi shumë, kurse tani thotë që vijo më tepër.
Kam pasur shumë oferta edhe nga shtete të huaja për të punuar. Nuk shkova as në Suedi, sepse atje është koha e ftohtë. Por vendosa të qëndroj dhe të vijoj me biznesin në Shqipëri”, tha Ergi.
Kanto Gashi, që është kthyer nga SHBA-të dhe është me origjinë nga Malësia e Madhe tregoi kthimin e tij në vendlindje.
U shpreh se ka hapur restorant e kamping dhe se mirëpret shumë turistë.
“Kam ikur nga Shqipëria 36 vite më parë. Ika për një jetë më të mirë. Jam larguar me katër kushërinj. Kemi ikur që në agimin e demokracisë. U arratisëm në ish-Jugosllavi, tek liqeni kemi ikur me not, tek Liqeni i Shkodrës. Isha i lënduar, kur dola nga liqeni. E fituam statusin e refugjatit, pasi na dërguan në Serbi. Na morën në Amerikë disa persona.
Në SHBA kam nisur punën si bojaxhi, Mësuam të vendosim dritare, të vendosim dyer e te heqim dyer, derisa arrita që të marr mbi vete projekte, kam punuar shumë. Kam dy djem dhe një vajzë, jam bërë edhe gjysh.
Kam ardhur në Shqipëri sepse e kam parë që gjërat po ndryshojnë. Më parë dua atë mur që kam bërë këtu në Shqipëri se të kem pallat në Nju Jork. Kam dy vite që kam hapur restorant në vendin tone dhe gjithashtu edhe kamp. Punët po më ecin mirë. Po më vijnë shumë turistë. Mesatarisht 10-12 vetë vijnë në ditë. Shtëpinë e kam pranë restorantit. Jam i gatshëm aty që t’ju shërbej. Fillimi i ka vështirësitë e veta. Vijnë holandezë, vijnë francezë, zviceranë, gjermanë, italianë etj. Ka të ndryshëm, çifte të reja ka, ka edhe që vijnë me fëmijë, ka dhe të moshuar”, u shpreh sipërmarrësi Gashi.
/tvklan.al












Botërori 2026 