Kryeministri Edi Rama ka zbuluar prapaskenat e ardhjes së afganëve në Shqipëri pas largimit nga vendi i tyre për shkak të talebanëve.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Rama u shpreh se çështja ka nisur në NATO, kur siç thotë Kryeministri, ka qenë ai vetë që ka ngritur problemin e bashkëpunëtorëve të SHBA se çfarë do të ndodhë me ta pasi talebanët të marrin kontrollin.

Rama shprehet se Qeveria Shqiptare është kontaktuar nga dy entitete jo qeveritare amerikane dhe më pas nga Qeveria e SHBA për të pranuar refugjatët afganë.

Kryeministri thotë se Shqipëria është treguar e gatshme, por me kusht që për shpenzimet të mbulohen nga këto entitete dhe qeveria amerikane.

“Për herë të parë, këtë çështje e kam ngritur unë në NATO kur kemi qenë në samitin e fundit, duke pasur parasysh atë që ne dimë nga historia jonë. I kam thënë që po për afganët tradhtarë, ata të cilët do të jenë në listat e tradhtarëve në momentin kur ne ikim, kemi ndonjë plan se çdo bëhet me ta se po i lamë atje…? Nuk pati vijim ai diskutim. Na janë afruar dy entitete jo qeveritare amerikane që na kanë kërkuar disponibilitet, pastaj na është afruar qeveria amerikane. Kemi qenë të qartë që ne jemi të gatshëm të ofrojmë mikëpritje, por ky nuk është një proceds që do zgjasi 1 muaj, 2 muaj, por do zgjasi shumë. I kemi thënë shumë qartë që përsa i përket shpenzimeve këto nuk mund të jenë të taksapaguesve shqiptarë. Nëse ata do rrinë këtu 1 vit e 2 vjet nuk mund të paguajnë taksapaguesit shqiptarë dhe kemi rënë dakord që këto entitete, kushdo që merr përsipër të kujdeset për këta njerëz, do paguajnë.

Ishte një variant për të ngritur kamp, unë kam thënë kampe refugjatësh në Shqipëri nuk ka. Ata këtu nëse vijnë do trajtohen si njerëz. Ne kemi dhënë disponibilitetin për 4 mijë. Nuk besoj se do të arrijë ai numër, por çështja është që gjëja do të vazhdojë. Vala e madhe do të vijë për Europën në vijim”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al