“Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër”

Kryeministri Edi Rama mohon që të ketë lidhje me akuzat që drejtësia amerikane ka ngritur ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charls McGonigal për përfitime të paligjshme dhe lidhje oligarkun rus Oleg Deripaska.

Në një reagim në rrjetet sociale ai nënvizon se s’ka asnjë provë që të vërtetojë përfshirjen e tij në këtë çështje, pasi nëse do të ekzistonin ato do t’i kishte nxjerrë hetimi i autoriteteve amerikane.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve”.

Ndaj ai thotë se ka vendosur t’i injorojë akuzat që bëhen mbi asnjë lloj prove dhe fakti dhe të fokusohet më shumë te kontakti me njerëzit.

“Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur. Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”.

Charls McGonigal akuzohet nder të tjera se ka marrë 225 mijë Dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave amerikane.

Tv Klan