Kryeministri Edi Rama ishte në Librazhd këtë të martë për të vijuar takimet elektorale, këtë herë më të rinj. E teksa pa pjesëmarrjen në takim, kreu i qeverisë mbajti një fjalim paksa më personal se sa herët e tjera.

Kreu i ekzekutivit theksoi se viti i fundit ka qenë një kohë jashtëzakonisht e vështirë për të. Gjithçka ka nisur me tërmetin dhe është pasuar me pandeminë. Është kjo arsyeja pse Rama tha se e ka vështirë të qeshë dhe të duket i freskët, për shkak se i duhet të jetë në lëvizje.

Ndër të tjera, kryeministri rrëfeu se çfarë ka ndodhur gjatë takimit që ka pasur me kreun e Pfizer, kur shkoi në New York për të kërkuar vaksinat.

“Është momenti për të mbajtur para jush një fjalë më personale. U bënë ditë në fakt, javë ndoshta, që miq të ndryshëm më shkruajnë, po qesh o burrë, qesh, mos dil kaq i ngrysur se dukesh dhe i lodhur, punët janë mirë ne do të fitojmë. Sigurisht që më 25 Prill, padiskutim që do të fitojmë. Por më besoni, nuk është e lehtë të qeshësh, nuk është e lehtë të jesh i pangarkuar edhe të dukesh i freskët sikur ke fjetur gjumë 10 orë sepse për mua u bë më shumë se 1 vit që ka qenë një kohë jashtëzakonisht e vështirë. Që kur mora lajmin se ra një tërmet dhe pastaj minutë pas minuti merrja lajmet se çfarë dëmi ishin bërë, ndryshimi ne jetën time aty lart në majë ishte shumë i lartë. Sepse nga ai moment deri sot unë asnjëherë nuk arrij dot të ndaj veten time, besojeni ose jo, nga ata të cilët presin të kthehen në shtëpi. Nga nxënësit që presin të rikthehen në shkollën e tyre, por po ashtu edhe nga të gjithë ata sidomos më të moshuarit, gjyshërit e gjyshet tuaja që presin të çlirohen nga ankthi i tmerrshëm dhe nga pasiguria përballë armikut të padukshëm.

Kjo kohë nuk ka qenë për mua koha e një kryeministri në zyrë që bën plane dhe bën detyrat e tij. Por ka qenë shumë më tepër se kaq, ka qenë koha e rreshtimit me zemër, me mendje, me mish e me shpirt, krah për krah të gjithë atyre që në asnjë mënyrë nuk duhet të ndihen vetëm. Krah për krah atyre që jetojnë larg Tiranës, larg bulevardit, larg kontakteve me të fuqishmit, larg kontakteve me politikanët. Janë ata në mendjen time çdo sekond. Janë ata në mendjen time çdo minutë, janë ata në mendjen time çdo ditë dhe janë ata që më motivojnë mua që sapo hap sytë gjëja e parë që të mendoj është sa shtëpi do të hapen sot për ta, sa vaksina do të bëhen për më të moshuarit sot. Kjo punë ka filluar qysh në momentin kur mijëra e mijëra familje u gjendën në qiell të hapur, në rrugë dhe duheshin strehuar.

A ju kujtohet një pyetje që më bëri një gazetar me të drejtë në Thumanë, me të drejtë në atë momente shumë të rënda kur, atë natë faktikisht ishim pas një funerali dhe ndërkohë po punonim për spostimin e njerëzve nga ato çadrat e vendosura në fushën e sportit. ‘Ku do i gjesh lekët’? Them të drejtën në atë moment mua nuk më foli mendja, por më foli shpirti dhe më nxorri atë fjalinë do t’i nxjerr nga dheu, ashtu sikundër Taulanti solli këtu një shembull, kur kemi marrë rrugën për të shkuar për t’ju lutur asaj kompanisë që erdhi në Librazhd dhe bëri investimin që sot i jep punë dhe është mbështetje për disa qindra familje.

Por unë këtu po ju sjell rastin tjetër kur morëm rrugën në New York në mes të pandemisë për të takuar të parin e Pfizer. ‘Nuk ka’, tha. ‘Do ta konsiderojmë kërkesën tuaj, por s’ka tha etj etj’. Nuk i dola nga zyra. Nuk i dola nga zyra deri në momentin kur i mora fjalën se ne do të kishim një kontratë. Natyrisht që kjo është ana e mirë e imja. Ka dhe një anë tjetër që ma venë në dukje njerëzit. Arrogant. Mbase, por më shumë sesa arrogant unë do thosha kokëfortë dhe këmbëngulës deri në pikën që hera herës e teproj, me siguri e teproj. Si mund të flasë kryeministri kështu thonë disa kur hyj në Facebook dhe komentoj. Në fakt kryeministrat me të cilët jemi mësuar, jo në Facebook, por as në rrugë nuk ia kthejnë sytë njerëzve”, tha Rama. /tvklan.al