Kryeministri Edi Rama i ka uruar mirëseardhjen bebeve që lindën në natën e ndërrimit të viteve. Ai u ka dorëzuar atyre bonusin e vendosur nga qeveria, që hyri në fuqi pikërisht këtë 1 Janar. I pari që e mori këtë bonus ishte Aleksi, vëllai i dy motrave, që si fëmijë i tretë përfitoi 120 mijë lekë të reja.

“Mirëmengjes nga Materniteti Koço Glozheni, ku u uruam mirëseardhjen bebeve që erdhën në natën e ndërrimit të viteve. I pari i këtij viti është Aleksi, vëllai i dy motrave që si fëmijë i tretë, do të hyjë në shtëpi me 120 mijë lek të reja me vete. Pas tij ka ardhur një vajzë, fëmijë i dytë, që do të hyjë në shtëpi me 80 mijë lek të reja, e më pas, përsëri një vajzë, e cila si fëmijë i parë, do t’u çojë prindërve në shtëpi 40 mijë lek të reja. Tre të parët kanë ardhur fiks si për të ilustruar politikën e re të Bonusit të Bebes. GEZUAR e me shëndet e mbarësi, të gjitha çifteve të reja e prindërve përsëritës të këtij Viti të Ri

”, shkruajti Kryeministri Edi Rama në një postim në Instagram.

Nga 1 Janari 2019, familjet do të përfitojnë 40 mijë lekë nga 5 mijë lekë që ishte më parë për fëmijën e parë. Kjo vlerë do të vijë në rritje progresive për fëmijën e dytë, në 80 mijë lekë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e 3-të të çdo familjeje.

/tvklan.al