Lëvizja pas protestave të dhunshme 5-mujore

Protestuesit në Hong Kong, të përfshirë prej Prillit në protesta të dhunshme anti-qeveritare e arritën më në fund qëllimin. Kryeministrja Carrie Lam njoftoi këtë të mërkurë tërheqjen e plotë të ligjit që lejon ekstradimin e të burgosurve në këtë rajon drejt Kinës.

Carrie Lam, Kryeministre E Hong Kongut: Më 25 Qershor njoftova fillimisht pezullimin e projektligjit. Më vonë deklarova se projektligji është “i vdekur”. E gjithë puna parlamentare për të, tashmë ka marrë fund plotësisht.

Të hënën, mediat ndërkombëtare publikuan një përgjim ku dëgjohej zëri i kryeministres Lam teksa shprehej se donte të dorëhiqej.

Ajo shprehej se ndihej fajtore si nismëtare e këtij ligji, që dëmtoi imazhin e Hong Kongut si një vend i sigurt për të qenë një qendër financiare globale. Megjithatë protestuesit thonë se tërheqja e ligjit është vetëm një nga kërkesat e tyre dhe kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen deri kur Pekini të respektojë autonominë dhe të drejtat e njeriut në këtë rajon.

Tv Klan