Sanna Marin do të bëhet Kryeministrja më e re në botë, duke marrë detyrën e rëndësishme në moshën 34-vjeçare. Ajo është zgjedhur si Kryeministrja e një qeverie koalicioni në Finlandë. Më herët në detyrën e ministres së Transportit, partia e saj social-demokrate i dha besimin që të bëhet Kryeministre e Finlandës.

Ajo pritet që të betohet gjatë kësaj jave. Sanna Marin do të udhëheqë qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë të përbërë nga 5 parti që drejtohen nga gratë. Pasi të marrë detyrën, ajo do të bëhet Kryeministrja më e re në botë. Ndërkohë që pas saj renditen Kryeministri i Ukrainës Oleksiy Honcharuk 35 vjeç dhe ajo e Zelandës së Re, Jacinda Ardern 39 vjeç.

“Asnjëherë nuk kam menduar për moshën apo për gjininë time, por mendoj për arsyet që kam hyrë në politikë dhe për ato gjëra për të cilat kam fituar besimin e publikut”, tha Kryeministrja e ardhshme e Finlandës.

Marin do të jetë Kryeministrja e tretë femër në vendin nordik. Social-Demokratët fituan më shumë vota në zgjedhjet e mbajtura në muajin Prill, duke u dhënë atyre të drejtën për të caktuar Kryeministrin/en që do të udhëheqë qeverinë e koalicionit. /tvklan.al