Kemi hyrë në një muaj të shenjtë, në muajin e Ramazanit. Por ndryshe nga çdo herë besimtarët myslimanë nuk mund të mblidhen sëbashku në xhamitë e vendit, apo edhe të organizojnë iftaret.

Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte kryemyftiu i Tiranës, Laurent Luli. Ai u shpreh se është një situatë e re që nuk ishin mësuar ndonjëherë. Por po mundohen ta përjetojnë namazin në maksimum, në përputhje me situatën në të cilën ndodhemi.

Mirela Milori: Si po kryhen ritet? Si është përshtatur festa e këtij muaji me rregullat e reja?

Laurent Luli: Ndodhemi në muajin më të rëndësishëm, në muajin e begatë të Ramazanit, një periudhë kohore tepër e rëndësishme dhe me shumë vlerë për  të gjithë besimtarët. Por duke marrë shkas edhe situatën që ndodhemi, jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota, Ramazani i sivjetshëm i ka gjetur besimtarët myslimanë kudo në rruzullin tokësor, në një gjendje krejt ndyshe. Ky Ramazan erdhi në formë ndryshe dhe po përjetohet në një formë ndryshe nga të gjithë besimtarët e vendit tonë. Tashmë nga masat e marra për parandalimin e virusit COVID- 19, të gjithë besimtarët e kanë të pamundur që të kryejnë adhurime, që bëhen duke tubuar apo duke u mbledhur bashkë nëpër xhami.

Mirela Milori: Krijon kjo një lloj vështirësie për ritet e besimit, por edhe për kalimin normal të këtij muaji?

Laurent Luli: Absolutisht, ne jemi mësuar që Ramazanin ta shohim si një muaj që gumëzhin i gjithë qyteti, ku xhamitë janë të frekuentuara në maksimum nga mijëra besimtarë. Ku jemi mësuar të ulemi në tryezat e iftarit së bashku me të gjithë besimtarët, po ashtu të bëjmë edhe adhurimet që janë falja e namazit, këto na mungojnë dhe realisht kjo e bën pak Ramazanin një situatë interesante dhe të çuditshme që nuk ishim mësuar ndonjëherë ta shihnim. Por megjithatë të gjithë besimtarët tani po mbajnë agjërimin, sepse agjërimi është një adhurim individual dhe nuk ka nevojë për tubime. Po ashtu edhe tryezat e iftarit tani janë zvogëluar në ato tryezat e mrekullueshme me familjarët dhe të afërmit dhe në këtë mënyrë mundohemi ta përjetojmë namazin në maksimumum me situatën në të cilën ndodhemi./tvklan.al