Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan hyri sot “Rrezja Rozë”. Të paktën kështu quhet profili në Instagram i Matilda Dollanit dhe jo pa arsye. E diagnostikuar me kancer në gji ajo ndan historinë e saj në platformën sociale për t’i dhënë zemër e mbështetje vajzave.

Matilda Dollani: Kemi nevojë për këshilla, kemi nevojë për të kuptuar dhe për të mësuar më tepër, mendoj se është një mundësi për të ndarë së bashku me pacientet e tjera me të njëjtën sëmundje, më tepër informacion dhe këshilla për ta bërë sa më të lehtë kalimin e kësaj situate.

Katerina Trungu: Një ditë ndodhi, një ditë ndryshon historia jote.

Matilda Dollani: Ishte pikërisht një moment që ti je shumë e fokusuar tek një ndryshim i  madh në jetën tënde siç është ardhja në jetë e një fëmije, nuk të shkon ndërmend që diçka mund të shkojë keq pikërisht në ato momente që është dhe lumturia më e madhe për një femër. Kështu që si çdo nënë dhe unë me një foshnje të vogël kisha vështirësitë e mia të para.

Janë disa mite që gjatë shtatzënisë dhe gjatë gjidhënies ti je pak imune ndaj problemeve që mund të kesh për shkak të gjidhënies por nuk është ashtu. Në një moment unë dalloj një gjëndër të cilën mendova do ishte thjesht një bllokim i gjëndrave të qumështit për shkak se isha ende me gjidhënie dhe me idenë që do kalojë prita 2-3 muaj lashë një takim dhe që aty rrodhën gjërat ashtu siç rrodhën deri në diagnozën me këtë sëmundje. Unë kam kryer rregullisht kontrolle gjiri, për 10 vjet, pa ndërprerje çdo vit”.

Nëna e Matildës është diagnostikuar rreth një vit e gjysmë më parë po me të njëjtën sëmundje, por ajo thotë se kontrollet e shpeshta i ka bërë para se të diagnostikohej mamaja e saj./tvklan.al