Kryepeshkopi i ri i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, mbajti meshën e parë si kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, në Katedralen e Korçës “Ngjallja e Krishtit”.

Në meshë morën pjesë besimtarëve ortodoksë, por edhe krerë të Mitropolive të tjera të vendit.

Nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, ku Joani meshoi për 27 vite si Mitropolit i Dhioqezës së Korçës, ai përcolli mesazhin se shqetësimi më i madh i njerëzimit sot, është mungesa e jetës shpirtërore.

“Teknologjia ka arritur kulmin. Shumë gjëra janë zhvilluar, por megjithatë nuk ka gëzim në shpirtrat e njerëzve sepse mungon jeta shpirtërore, mungon drita e vërtetë. Duke mohuar pseudoveten, ne do ta zbulojmë këtë dritë dhe do të ndriçojmë veten tonë”, shprehet Imzot Joan Pelushi.

Besimtarët vlerësuan figurën e Kryepeshkopit.

“Është një nga figurat më të ndritura”, shprehet një besimtar.

“Jam shumë e lumtur që ka ardhur”, thekson një besimtare.

“Unë e njoh si njeri shumë të zgjuar shumë të urtë dhe një njeri që jep shumë këshilla të vyera për njerëzit”, thotë një tjetër besimtar.

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Imzot Joani, do të vazhdojë të drejtojë edhe Dhioqezën e Korçës deri në përfundim të procedurave për zgjedhjen e mitropolitit pasardhës.

Tv Klan