Kardinali i Marsejës, Jean-Marc Aveline është cilësuar si një nga pasardhësit e mundshëm të Papa Françeskut, që do të vendoset nga konklava që nis me 7 Maj.
Njerëzit që e njohin 66-vjeçarin ‘Monsinjor Aveline’, siç e quajnë shumë, flasin për karizmën, thjeshtësinë dhe njohuritë e tij të thella teologjike.
Vëzhguesit bëjnë gjithashtu një krahasim midis Aveline dhe Papa Françeskut, i cili e shuguroi atë si kardinal në vitin 2022. Francois Buet, i cili punon me Aveline si famullitar në dioqezën e Marsejës, tha se ai mund të jetë shumë bashkëpunues si me udhëheqësit botërorë ashtu edhe me banorët e qytetit.
“Mendoj se mund të themi me të vërtetë se një nga cilësitë kryesore të Kardinalit Aveline është kjo zemër e butë. Kur e takon, shfaq këtë mirësi, vëmendje ndaj çdo personi, është një mënyrë e jashtëzakonshme për t’u lidhur me njerëzit”, tha Francois Buet, dioqeza e Marsejës.
Ashtu si Papa Françesku, 66-vjeçari vjen nga një familje emigrantësh. I lindur në Algjeri në vitin 1958, ai u zhvendos në Francë që fëmijë, fillimisht në Paris dhe më pas në qytetin port të Marsejës. Aveline kaloi dekada duke dhënë mësim në shkolla të ndryshme teologjike, duke bërë kërkime dhe duke trajnuar priftërinj.
Xavier Mery i cili dha mësim me të në seminarin e Shën Lukut në Aix-en-Provence, tha se ai kishte aftësinë të shpjegonte doktrina komplekse pa folur me nënvlerësim për audiencën e tij.
“Është pikërisht karakteri i mësuesit dhe predikuesit që ka brenda tij, që e bëjnë të madh, sipas mendimit tim”, Xavier Mery, ish-dashkëmësues i kardinalit Jean-Marc Aveline.
Kryerja e shërbesës së tij në Marsejë, një vend ku përzihen kultura dhe fe, ka formësuar gjithashtu pikëpamjet e Aveline-s.
“Kjo do të thotë se ai i kupton ndryshimet midis doktrinave katolike, myslimane dhe hebraike, dhe di si t’i respektojë këto ndryshime, si e ruan secili identitetin e vet shpirtëror, çfarë na bashkon dhe çfarë na dallon. Kështu që mendoj se ai është shumë i vetëdijshëm për këtë dhe kjo është mjaft e vlefshme në këto kohë”, Xavier Mery, ish-dashkëmësues i kardinalit Jean-Marc Aveline.
Gjatë vizitës së Papës në Marsejë në vitin 2023, Aveline udhëhoqi edicionin e tretë të ‘Rencontres Mediterranean’, një dialog për ndërtimin e paqes midis feve të ndryshme në rajonin e Mesdheut midis udhëheqësve të ndryshëm fetarë, duke tërhequr vëmendjen për gjendjen e vështirë e emigrantëve.
Nëse zgjidhet, Aveline do të jetë papa i parë francez që nga vitet 1300. Rreth 135, pesë nga Franca – janë të kualifikuar për të marrë pjesë në votimin për kreun e ardhshëm të Kishës me 1.4 miliardë anëtarë, e cila është e shqetësuar për financat e saj dhe përçarjet mbi doktrinën.
Me vdekjen e Papa Françeskut më 21 Prill, Kisha Katolike po përgatitet për një tranzicion që do të përcaktojë drejtimin e saj për të ardhmen.
Sipas vëzhguesve të Vatikanit, mund të kemi një Papë nga Azia ose nga Afrika. Një prej tyre është Luis Antonio Tagle i Filipineve. Tani 67 vjeç, Tagle konsiderohet si një pretendent i fortë për të vazhduar axhendën e Papa Françeskut.
I mundshëm mund të jetë edhe një Papë italian. Kardinali Pietro Parolin, 70 vjeç, është një prej zyrtarëve më me përvojë të Vatikanit. Si Sekretar i Shtetit të Vatikanit që nga viti 2013, shihet si një kandidat i moderuar teologjik që mund të sigurojë stabilitet dhe të ruajë reformat e Françeskut.
Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Peshkopëve, maltez, 68 vjeç. Grech është bërë një pishtar i reformave të Françeskut brenda Kishës për vite me radhë. Matteo Maria Zuppi, italian, kryepeshkop i Bolonjës, 69 vjeç në vitin 2015 u bë kryepeshkop i Bolonjës, media kombëtare e quajti atë “Bergoglio italian”, për shkak të afërsisë së tij me Françeskun.
Kardinali spanjoll Juan Jose Omella, kryepeshkop i Barcelonës, 79 vjeç. Omella bën një jetë të thjeshte pavarësisht nga titulli i tij i lartë. Tabutë mund të thyhen dhe Papa i ardhshëm mund të jetë një afrikan. Kardinali Peter Turkson, 76 vjeç ka qenë i zëshëm për çështje të tilla si ndryshimet klimatike, varfëria dhe drejtësia ekonomike.
Gjithashtu kardinali Robert Sarah, 79 vjeç, është një zë i njohur konservator. Ai shërbeu si prefekt i Kongregatës për Adhurimin Hyjnor deri në vitin 2021. Sarah ka kundërshtuar me zë të lartë ideologjinë gjinore dhe ka dënuar ekstremizmin islamik.
Një kandidat kryesor konservator është kardinali Peter Erdő, 72 vjeç. Për ata që kërkojnë një kthim në konservatorizmin e Gjon Palit II dhe Benediktit XVI, Erdő do të përfaqësojë një zhvendosje të madhe nga qasja e Françeskut. Kardinali Joseph Tobin, kryepeshkop i Newark, N.J., amerikan, 72 vjeç. Françesku e promovoi si kardinal në vitin 2016 dhe më vonë e bëri kryepeshkop të Newark. Në këtë rol, Tobin, është përballur me një prej skandaleve të pedofilisë dhe njihet për një qëndrim të hapur ndaj komunitetit LGBT.
Klan News