Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela priti sot në një takim Zv/Ambasadoren e Ambasadës së SHBA, Leyla Moses-Ones dhe Ambasadorin e BE në Shqipëri, Luigi Soreca. 

Duke uruar suksese, dy ambasadorët vlerësuan procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe formimin e institucioneve të reja si hap mjaft i rëndësishëm në formimin e institucioneve të reja në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Në një njoftim për shtyp nga zyra e kryeprokurorit thuhet se e ngarkuara me punë Moses-Ones përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Reformën në Drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit.

Nga ana e tij, Kryeprokurori Çela duke vlerësuar asistencën e deritanishme të partnerëve ndërkombëtar shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe misionet ndërkombëtare gjatë mandatit të tij 7-vjeçar. Gjithashtu, Çela e vlerësoi kontributin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian si thelbësor në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.

Ky ishte takimi i parë me dy përfaqësuesit më të lartë të diplomacisë në vend pas marrjes së detyrës nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.

Po gjatë kësaj të mërkure, Prokurori i Përgjithshëm priti në zyrën e tij edhe Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf. Ambasadori gjerman i uroi Kryeprokurorit suksese në detyrën e tij të rëndësishme. Ndër të tjera ai tha, se Gjermania ka mbështetur gjithmonë Reformën në Drejtësi dhe do të vijojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm përmes Parlamentit pas verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë u konsiderua nga ambasadori Zingraf një sukses dhe garanci për zbatimin e mëtejshëm të Reformës për Drejtësi.  Nga ana e tij Prokurori i Përgjithshëm e siguroi ambasadorin për intensifikimin e bashkëpunimit të prokurorisë me autoritetet gjermane në luftën ndaj krimit./tvklan.al