Në kulmin e debateve për punën e prokurorisë në hetimin e disa çështjeve, ka reaguar shefja e organit të akuzës Arta Marku. Nga Shkodra, ku u takua me drejtuesit lokalë të akuzës, kryeprokurorja tha se politika gjykon punën e prokurorisë sa herë i preken interesat.

“Shpesh herë jeni ndjerë të pasigurt dhe kjo ka ndikuar në punën tuaj dhe keni qenë të pamotivuar. Përveç kësaj, në qendër të çdo konflikti apo debati politik u është referuar ju. Politika i ka dhënë vetes të drejtë që të gjykojë çdo çështje që mund të ketë prekur interesat e saj, pa patur dëshirë dhe vullnet për të pritur, për të lejuar prokurorët të bëjnë punën e tyre. Duke marrë shkas nga përfolja që politika i ka bërë prokurorisë, të njëjtën gjë ka bërë edhe opinionin publik edhe media. Terreni ku keni ushtruar funksionin tuaj ka qenë i vështirë”.

Marku nuk përmendi dosje konkrete, por kërkoi durim për rezultatet. Numri një i akuzës nuk la pa prekur dhe procesin e vetting-ut, i cili ka ndikuar në punën e prokurorisë.

“Viti që shkoi nuk ka qenë jo i lehtë, pasi për shumë prej jush ka filluar procesi i vetting-ut. Do të kërkoja prej jush që të mos e shikoni procesin e vetting-ut si një ndëshkim, por si një mundësi për rikthimin e dinjiteti”.

Në fokus të takimit në Shkodër ishin ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura në këtë qytet, të cilat janë ende të pazbardhura.

Tv Klan