Partizani fiton derbin, Laçi merr kreun

Partizani ka fituar derbin e qytetit përballë Tiranës, duke vijuar rrugën drejt kreut të Kategorisë Superiore.

Të kuqtë triumfuan me shifrat 2-1 në “Selman Stërmasi”, për të forcuar pozitat në vendet e larta të klasifikimit.

Pas gjysmë ore loje, Egzon Belica kaloi në avantazh skuadrën e Ilir Dajës. Pak minuta më pas, Hoxhallari me një goditje dënimi fantastike barazoi shifrat. Në barazim 1-1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Partizani shënoi sërish.

Jurgen Bardhi shndërroi në gol një aksion model të të kuqve, që mbeti në fuqi deri në fund të takimit. Humbja e dytë radhazi për Tiranën në derbi, me kampionët që pozicionohen në vendin e 5-të në mesin e tabelës së klasifikimit.

Laçi ka marrë kryesimin e Superligës pas fitores së pastër 2-0 në transfertën e Korçës përballë Skënderbeut. Kurbinasit ishin cinik në fushën e blertë, teksa shënuan 2 herë në fraksionin e dytë të lojës.

Mazrekaj në minutën e 57-të kaloi në avantazh të besuarit e Shpëtim Duros. Ndërkohë, fitoren e vulosi goli i Julian Shehu. Tashmë Laçi numëron 44 pikë në krye të renditjes, teksa Skënderbeu stampohet në vendin e fundit me 16 pikë.

Klan News