Të dy trajnerët janë të vendosur për fitore

Pas barazimit në fushën e Skënderbeut, te Partizani duan me çdo kusht fitoren me Vllazninë. Trajneri Ilir Daja thotë se do të rrezikojnë gjithçka për të arritur objektivin në sfidën e së dielës në orën 19:45 në Elbasan Arena.

“Me Vllazninë kemi një ndeshje të vështirë, por po kalojmë një moment të mirë. Dhe mendoj se është koha për të fituar. Jemi të dënuar të rrezikojmë gjithçka për të marrë 3 pikët. Një fitore do i bënte shumë mirë skuadrës në aspektin psikologjik”.

Vllaznia pas humbjes befasuese në Kupën e Shqipërisë me Labërinë do të kthejë faqe në kampionat. Trajneri Thomas Brdaric mendon se lojtarët e tij kanë më shumë motivim se kundërshtarët për të fituar.

“I kemi pothuajse të gjithë lojtarët dhe ata që do të futen në fushë dhe ata që do të qëndrojnë në stol do të jenë akoma më të uritur se futbollistët e Partizanit për të marrë fitoren”.

Sezonin e kaluar Vllaznia arriti 2 fitore, ndërsa dy ndeshje përfunduan në barazim.

Tv Klan