Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të festojnë në shtëpi dhe të mos dalin në sheshe, për shkak edhe të situatës së pandemisë Covid-19.

Albulena Haxhiu, në një deklaratë për mediat nga zyrat e kësaj partie, bëri thirrje për respektim të masave anti-covid.

Ju lus të gjithëve që festën tonë ta bëjmë secili pranë me familjet në shtëpitë tonë. Mos u tuboni në sheshe kjo për shkak të pandemisë dhe të temperaturave të ulëta si dhe rrugëve të papastruara, kjo pasi këto mund të bëhen shkak për probleme individuale për ju. Në këto momente është duke ndodhur një proces i rëndësishëm i numërimit të votave, vëmendja e LVV-së është tek komisionerët dhe vëzhguesit të cilët duhet të mbrojnë votën e lirë të secilit qytetarë. Ne jemi duke pritur rezultatet preliminare të KQZ-së. Fokusi ynë është përqëndruar tek ruajtja e votës së qytetarëve dhe vullneti që është në kutitë e votimit”, është shprehur Albulena Haxhiu.

Para konferencës së Vetëvendosjes, kreu i AAK Ramush Haradinaj doli në një deklaratë për mediat duke i uruar fitoren partisë së Albin Kurtit.

Shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjitha partitë, edhe Vetëvendosjes fitoren. Ajo që shohim për AAK-në, nga 10 % e votave të numëruara nga KQZ-ja, është një rezultat rreth 10 % që përputhet edhe me parashikimet tona të pritjeve. E dimë që ky proces kaq i mirë ndodhet në përgjegjësinë e komisionerëve dhe vëzhguesve dhe kërkojmë që të mos dëmtohet, pra që të ruhet vota dhe të ketë përgjegjësi maksimale nga të gjithë mekanizmat në mënyrë që të përmbyllet ky proces në mënyrën e duhur”. 

Sipas rezultateve të deritanishme (21:30) të KQZ-së së Kosovës, Vetëvendosje udhëheq me 46.43% të votave, më pas vjen PDK me 18.98%, LDK me 13.81% dhe AAK me 8.77%. /tvklan.al