Rene Van Der Linden, në një vizitë zyrtare në Tiranë

Rene Van Der Linden, i cili është kryetari i Senatit Parlamentar të Holandës, anëtar i Partisë Demokrastiane, ish- presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe ish-Sekretari i Shtetit, ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare, gjatë të cilës do të takojë të gjithë aktorët kryesorë politikë të Shqipërisë.

Në një moment mjaft të rëndësishëm për vendin tonë, siç është liberalizimi i vizave dhe statusi kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Holanda ka një vendim deçiziv.

Rene Van Der Linden ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Opinion”, ku foli për situatën politike në Shqipëri, liberalizimin e vizave, si dhe për adoptimin e dy vajzave shqiptare, të cilat ia ka çuar At Zef Pëllumbi.     

Zoti Van der Linden, kjo nuk është hera juaj e parë në Shqipëri.
Jo, kam qenë shpesh herë në Shqipëri si raportues si Asamblesë së Këshillit të Evropës, si kryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe si kryetar i Shkollës së Menaxhimit të Mastrihtit. Ndërsa sot jam këtu si kryetar i Senatit holandez.


Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Duhet të ketë qenë rreth vitit 1994 ose 1995, si dhe para eventualiteteve të rënies së skemave piramidale.


Cila ka qenë përshtypja juaj e parë për Shqipërinë?

Përshtypja ime e parë? Hmmm…

Vendi më i izoluar në Evropë, ose edhe në botë…
Do të tregohem i sinqertë dhe t’ju them se kam mbetur jashtëzakonisht i surprizuar që isha në një vend, i cili ishte kaq shumë i prapambetur, në krahasim me zhvillimin që ishte pjesa perëndimore e Evropës.

Këtë po e thoni për 1995-n, kur Shqipëria kishte 5 vjet që kishte dalë nga komunizmi?
Më pëlqeu shumë sepse ishte autentik, njerëzit ishin shumë mikpritës dhe si politikan, ishte shumë interesante të shikoje se si fillon një proces demokratizimi, ku sundon ligji dhe respektohen të drejtat e njeriut, duke qene pjesë e procesit, duke mbështetur dhe ndihmuar këtë proces dhe për të parë mënyrën se si zgjidhen problemet në vendin tuaj. Të gjitha këto janë eksperienca shumë të rëndësishme për një politikan, sepse është faktori human, njerëzor, ai që vihet në qendër të punës apo vëmendjes në çdo rast.

Por nga pikëpamja politike, ne jemi një vend me shumë konflikte. Edhe gjatë këtyre ditëve që ju vini përsëri në Shqipëri, e gjeni këtë vend me shumë debate dhe mosmarrëveshje politike, kryesisht ndërmjet forcave kryesore politike, midis socialistëve dhe demokratëve dhe mosmarrëveshja e tyre qëndron këtë herë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Cili do të ishte komenti juaj në lidhje me këtë çështje, me këtë konflikt?
Në fakt, kjo është një nga çështjet më zhgënjyese, kur pas një periudhe anëtarësimi prej më shumë se 15 vitesh në Këshillin e Evropës ku vihen në jetë praktikat e menaxhimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe sidomos për mënyrën se si duhet menaxhuar ekonomia dhe politika; dhe sidomos nëse je në pushtet, në qeveri apo edhe në opozitë duhet medoemos të punosh për interesin e përgjithshëm kombëtar – më vjen vërtet keq që ende sot vazhdon të ekzistojë një konflikt midis partisë në pushtet dhe partisë opozitare. Unë gjithmonë i marr në konsideratë dhe kujdesem për të dyja palët, sepse ata që sot janë në pushtet mund të jenë në opozitë nesër dhe ata që janë sot në opozitë, mund të vijnë në pushtet nesër.


Këto janë rregullat e demokracisë, apo jo?

Po, këto janë rregullat e demokracisë vërtet, por rregullat e demokracisë nënkuptojnë që situata të caktuara nuk duhen trajtuar vetëm nga këndvështrimi konfliktual, por duhet punuar që të gjenden zgjidhje që interesat e të dyja palëve të përfaqësohen, por mbi të gjitha, të jenë zgjidhje në interes të vendit, që vendi të ecë përpara.


A mendoni se ky konflikt që ne kemi aktualisht në Shqipëri, do të ndikojë tek e ardhmja e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian?
Unë nuk mundem ta imagjinoj se si partitë politike, partitë e mëdha politike, të cilat kanë një eksperiencë tashmë prej 15-20 vjetësh demokraci, të mos e dinë se në institucionet ndërkombëtare ku ato aderojnë, të merresh me politikë nënkupton që duhet të përballesh me mendime të ndryshme, por në fund të ditës duhet të trajtosh dhe zgjidhësh problemet në mënyrë të tillë që vendi të mund të ecë përpara. Dhe nëse kjo do të dëmtonte dhe imazhin e vendit tuaj në botë. Nuk besoj se ka gjëra aq të vështira, as që kërkojnë kaq shumë kohë dhe në një moment caktuar, edhe opozita duhet të kuptojë se do të këtë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar nëse ata i zgjidhin problemet në mënyrën që komuniteti ndërkombëtar përdor dhe aplikon. Po e njëjta gjë vlen edhe për partinë në pushtet. Prandaj ka një lloj presioni që ushtrohet nga Këshilli i Parlamentit Europian, në mënyrë që konfliktet të zgjidhen në një mënyrë më të mirë.


A mendoni se kjo pamundësi për të gjetur nje marrëveshje midis maxhorancës dhe opozitës është një tregues për nivelin e ulët të demokracisë në Shqipëri?

Për mua fjala pamundësi është e papranueshme. Sepse çdo gjë është e mundur (s’ka gjëra të pamundura!) gjithmonë nëse ka një vullnet politik.

Mbase kjo kërkon kohë?Tashmë kemi humbur mëse një vit kohë.
Është vërtet një kohë shumë e gjatë. Dhe kjo po e dëmton vendin, imazhin e tij dhe nëse e sheh se çfarë ka ndodhur në Shqipëri nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik, besoj që këtë duhet ta shohin edhe partitë politike dhe të marrin përgjegjësitë për të gjetur mënyrën për të zgjidhur konfliktin që është krijuar midis dy partive më të mëdha në vend.


Së fundmi, Parlamenti Europian ka votuar për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe kjo për ne është një moment shumë i rëndësishëm. Por çfarë kuptimi ka kjo për europianët
Besoj se në radhë të parë, kjo ka shumë kuptim për vendin tuaj. Sepse liria e qarkullimit është e rëndësishme për mënyrën se si njerëzit krijojnë përshtypjet e tyre. Nëse studentët, artistët do të udhëtonin lirisht nëpër Europë, po kështu edhe politikanët apo edhe njerëz që kanë dëshirë të udhëtojnë për turizëm për të vizituar vende të Evropës perëndimore, ata do të krijojnë përshtypjet e tyre, do të krijojnë idetë e tyre, do të formojnë një sjellje të re dhe kjo është mjaft e rëndësishme për vendin tuaj, për njerëzit tuaj. Një qarkullim i lirë pa viza nënkupton që ju mund të udhëtoni lirisht, që mund të qëndrosh deri 90 ditë një vendet Shengen, por kjo nuk nënkupton se ke të drejtën dhe lirinë të shkosh të punosh, pra kjo liri nuk të jep të drejtën të shkosh të kërkosh një punë në ndonjë nga vendet Shëngen. Gjithsesi, për studentët për shembull, të cilët duan të shkojnë për studime afatshkurtra disa mujore, besoj se do të krijojë më shumë lehtësira.


A po krijon kjo ndonjë ndjenjë frike tek ju, se mos ndoshta skenarët e vendeve si Belgjika dhe problemet që pati me serbët dhe maqedonasit, apo eksperiencat e Francës me rumunët mund të jenë edhe për ju?
Besoj se një pjesë varet nga informacioni që njerëzit e vendit tuaj do të marrin paraprakisht sepse është shumë e rëndësishme që të ketë një komunikim shumë të mirë midis institucioneve zyrtare të vendit tuaj dhe popullit, kështu që ata nuk do të krijojnë përshtypje të gabuara në lidhje me mundësitë që të ofron liberalizimi i vizave.


A vuan akoma Europa nga sindroma e zgjerimit?
Nuk do ta përcaktoja si vuajtje, por nga njëra anë është procesi i zgjerimit i cili nga pikëpamja politike dhe njerëzore ka qenë një proces i mrekullueshëm, e kë fuqizuar Bashkimin Europian e po ashtu edhe vendet anëtare të reja. Por nga ana tjetër ishte momenti kur e gjitha kjo duhej të konfrontohej edhe me krizën ekonomike, kështu që të dyja këto fenomene bashkë duhet të përballeshin me një lloj rezistencë dhe kritikë që vendet anëtare të Bashkimit Europian i bënë procesit të fundit të zgjerimit, sidomos në rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë.


Dhe kjo nuk ishte për faktin se Bosnja dhe Shqipëria janë dy vende ku shumica e popullsisë është myslimane?
Jo! Jo, madje unë do të thoja se personalisht jam në favor të pranimit edhe të Turqisë. Sigurisht me kushtet që ata të plotësojnë kriteret. Kështu që ne nga ana e BE-së kemi një angazhim po ashtu edhe Turqia nga ana e saj e ka një të tillë. Prandaj unë shpresoj që shumë shpejt pasi Turqia të ketë plotësuar kriteret dhe standardet e kërkuar të bëhet anëtare. Por unë jam totalisht kundra të diskutuarit të pranimit të vendeve nga pikëpamja fetare, qofshin myslimane apo të krishterë. Dhe ndoshta ju e dini se kam qenë një nga promotorët kryesore të dialogut ndërfetar. Kur isha President i Asamblesë së Këshillit të Europës, konventa e të drejtave të njeriut, e cila feston 60 vjetorin e saj sivjet, pra kjo konvente është një nga më të rëndësishmet e cila i jep një përgjigje shumë të qartë të gjitha këtyre çështjeve të ngritura.


A mendoni se në 8 apo 9 nëntor, Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, si hallka e fundit e këtij procesi, do ta pranojë liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën?
Unë jam shumë optimist dhe ka edhe sinjale shumë premtuese se një gjë e tillë do të ndodhë, por në të njëjtën kohë u them miqve të mi shqiptarë: Ju lutem shumë, informoni mirë qytetarët tuaj në lidhje me atë çka nënkupton lëvizja e lirë e qytetarëve në Europë, në rastin tuaj nga Shqipëria drejt vendeve Shengen, kështu që do të shmangen shumë zhgënjime më pas.


E keni shkelur të gjithë Shqipërinë?

Jo të gjithën, por kam parë një pjesë të Veriut, të bregdetit dhe një copëz nga Jugu. Ju keni një kombinim të maleve, bregdetit, zonave të ndryshme klimaterike dhe shumë diell. Dhe nga ana tjetër, keni dhe shumë mundësi në ofrimin e shërbimeve në sektorin e hotelerisë dhe infrastrukturës. Prandaj, për mendimin tim, ju keni një perspektivë të shkëlqyer për zhvillimin e turizmit në të ardhmen.


Zoti Van der Linden, pyetja e fundit. A është e vërtetë që ju keni në kujdestari edhe disa fëmijë shqiptarë?
Ne kemi adoptuar dy vajza kur ato ishin 7 vjeçe dhe erdhën për të jetuar me familjen tonë, kur ishim në Lueve të Belgjikës. Ato na i ka sjellë At Zef Pëllumbi, i cili gjithashtu ka qenë në shtëpinë tonë, ku kemi kaluar disa ditë së bashku me gruan time dhe fëmijët. Unë kam një respekt shumë të madh për atë njeri. Mendoj se ai njeri ka vuajtur shumë gjatë regjimit të Enver Hoxhës dhe është një njeri i madh. Besoj se ajo që e ka bërë atë njeri të madh ka qenë fakti se ai ishte një njeri i vërtetë dhe kishte një sjellje shoqërore të jashtëzakonshme dhe kishte një ndjenjë mjaft të fortë drejtësie në shpirt./tvklan.al