Spikasin sfidat PSG – Manchester City dhe Milan – Atletico

Paris Saint Germain – Manchester City është sfida më tërheqëse e ditës në Champions League. Paris me shumë investime për të triumfuar në elitën e futbollit kontinental e nisi keq fazën e grupeve, pasi barazoi 1 – 1 në fushën e Club Brugge dhe tani nuk lejohen më gabime.

Manchester City e filloi bindshëm duke fituar 6 – 3 me Leipzig. Por tani përballë ka skuadrën ku luan Lionel Messi dhe Pep Guardiola ia di vlerat edhe pse nuk i ka shfaqur ende në Paris. Argjentinasi është i riaftësuar nga problemet fizikë që e mbajtën jashtë me 2 ndeshjet e fundit në kampionat, por trajneri Pochettino nuk do të zbulojë nëse do të jetë në formacion.

Paris Saint Germain nuk e ka fituar asnjë nga përballjet e mëparshme me Manchester City.

 Një tjetër ndeshje për tu ndjekur është Milan – Atletico Madrid. Skuadra italiane edhe pse humbi takimin e parë në fushën e Liverpool tregoi se është gati për këtë turne pas 7 vitesh mungesë ku herën e fundit u eliminua pikërisht nga ekipi spanjoll. Atletico pati një barazim pa gola me Porto dhe ndeshja që do të luajë në San Siro duket si një mundësi për të gjetur golin dhe pse jo një rezultat pozitiv.

Tv Klan