Shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare do të kthehet në muze për t’u vizituar nga vendasit dhe të gjithë turistët që vizitojnë Tiranën. Për të jetësuar këtë vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, arkitektja italiane Elisabetta Terragni ka nisur nga puna për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh shqiptar në Rrugën e Dibrës.

“Ky është një vend për të festuar letërsinë dhe një mënyrë për të parë brenda botës së shkrimtarit Ismail Kadare, për të kuptuar kohën kur ai punonte në Shqipëri. Njerëzit mund të vijnë këtu e të mësojnë me shumë rreth tij, të studiojnë me shumë rreth tij, e në të njëjtën kohë të bëjnë studime të thelluara mbi mënyrën se si jetohej në Tiranë në atë kohë dhe në ato kushte”.

Për Kryebashkiakun Veliaj kjo nismë cilësohet si një eksperiencë e veçantë.

“Po vëmë dorë mbi një xhevahir të mbuluar nga pluhuri në qendër të Tiranës, e cila i ka të gjitha mundësitë të transformojë ndoshta një nga pallatet më të përfolura në Tiranë. Do të kujdesemi që pallati të transformohet dhe të shkojë në fazën përfundimtare siç e kishte projektuar i madhi Maks Velo, por epiqendra do të jetë apartamenti i Ismail Kadaresë, në të cilin ai jetoi nga vitet ‘70 deri në vitet ‘90, dhe ku ka shkruar disa nga kryeveprat e tij”.

Punimet për kthimin në muze të shkrimtarit Ismail Kadare përkojnë me 83-vjetorin e tij të lindjes.

Tv Klan