“Shkel Kushtetutën, anashkalon sugjerimet e institucioneve”

Një tjetër ligj duhet që të rishqyrtohet edhe njëherë nga Kuvendi. Bëhet fjalë për ligjin për shtetësinë që i ishte përcjellë Metës për dekretim dhe shpallje, por kreu i shtetit ka vendosur të kundërtën.

Meta thotë se ndjen keqardhje që një ligj i tillë, i rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e shtetit, nuk ka patur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse për trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.

Kreu i shtetit ka renditur disa nene ku thotë se kriteret e përcaktuara në ligj kufizojnë jo vetëm kompetencën ekskluzive të Presidentit të Republikës për dhënien dhe lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare, por cenojnë edhe të drejtat e subjekteve për të aplikuar/marrë shtetësinë shqiptare përmes kritereve jo proporcionalë, në kundërshtim me nenet 19 dhe 92 të Kushtetutës.

Ndër të tjera sipas Metës ligji krijon pasiguri për sa i përket procedurave të paqarta për aplikimin për shtetësi shqiptare. Përveçse shkel parimin e shmangies së gjendjes pa shtetësi, Meta thotë se përmban gabime edhe në përmbajtje apo mënyrën si është zbardhur./tvklan.al