Pak orë pasi presidenti i Republikës Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, Komisioni i Ekonomisë u mblodh brenda ditës dhe me votat e maxhorancës e rrëzoi dekretin e Kreut të Shtetit.

Deputeteve nuk iu desh më shumë kohë për të hedhur poshtë nevojën e parashtruar nga Presidentit për të riparë dy nene të këtij ligji, të cilat sipas tij kishin efekt prapaveprues, në trajtën e një “amnistie fiskale”, për korporatat që nuk kanë paguar tatimin mbi dividentin.

Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë u zhvillua në salla e seancave plenare, pas njoftimit që u shkoi deputetëve duhet të mblidheshin për të shqyrtuar dekretin e Presidentit.

Kreu  i Shtetit në argumentet që dha për kthimin mbrapsht të ligjit citon ndër të tjerash nenin 9 të ligjit që sipas tij  krijon pabarazi fiskale për të gjithë ata që gjatë gjithë këtyre viteve e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, me një normë tatim fitimi 15%, ndërsa ata që nuk e kanë ndarë do të përfitojnë një lehtësim fiskal duke paguar vetëm 8%. Kreu i Shtetit nënvizon se ky ligj përmbys sistemin duke e kthyer taksimin progresiv në regresiv, sepse favorizon ndjeshëm shtresën më të pasur të shoqërisë.

Presidenti i  kërkoi Kuvendit të rishqyrtonte këto dy nene me qëllim që ato të mos binin ndesh me parashikimet Kushtetuese, ku përfituesit real të lehtësirave fiskale të parashikuara në këtë ligj, të jenë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe biznesi, pa diferencime dhe me trajtim të barabartë.

Tv Klan