Tatimet: Jemi duke punuar për skemën, gati në Shtator

Administrata tatimore ka nisur punën për të përgatitur një skemë incetivuese e cila kthen një pjesë të tatimit mbi vlerën e shtuar te konsumatori i cili tërheq kuponin tatimor.

Iris Ago, drejtore e Kontrollit Tatimor, thotë se mendohet që kjo skemë të nisë veprimin njëkohësisht me procesin e fiskalizimit në muajin Shtator, ndërsa aktualisht janë duke u analizuar disa modele në shtetet që është aplikuar kjo incentivë dhe do të zgjidhet skema më e suksesshme.

Modeli më i mundshëm është ai i Maqedonisë së Veriut, ku kthehet 15% e vlerës së TVSH-së paguar që mblidhet nga kuponi, i cili skanohet nga një aplikacion në telefonin smart. Po ashtu, është duke u planifikuar edhe vendosja e pajisjeve inteligjente që mund të skanojnë barkodin  në disa zona të vendit, për njerëzit të cilët nuk kanë smartphone.

Nisma për kthimin e një pjese të TVSH-së për konsumatorin i bashkangjitet planit për të luftuar informalitetin, duke bërë kështu ndërgjegjësimin e blerësve që të kërkojnë kuponin tatimor. Disa vjet më parë qeveria tentoi një incentivë të ngjashme përmes llotarisë së kuponit tatimor, që rezultoi e pasuksesshme në shtimin e të ardhurave në buxhet nga kjo taksë.

Tv Klan