Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Megjiththirrjet e Natos dhe UNHCR-së për një kthim të organizuar të të shpërngulurve kosovarë që janë vendosur kryesisht në vendin tonë dhe Maqedoni vazhdon fluksi i madh i tyre drejt Kosovës. Sipas të dhënave të deritanishme numri i të shpërngulurve kosovarë deri tani në Kosovë arrin deri në 73 mijë vetë.

Të kthyerit të cilët kanë arritur në shtëpitë e tyre nuk kanë gjetur asgjë përveç mueve, pasi gjithçka është djegur dhe rrënuar. Ndërkohë që kthimi i të shpërngulurve vazhdon rreziku i minave vazhdon të jetë tejet i madh. Me gjithë punën e madhe të trupave të Natos për çminimin e rrugëve kryesore që të çojnë në Kosovë.

Viktimat e minave janë ende të paevitueshme. Kështu katër të rinj shqiptarë të cilët po hynin dje në Kosovë kanë rënë në një zonë të minuar. Njëri prej tyre Nefal Hoxha nënoficer i ushtrisë shqiptare ka ngelur i vdekur në vend, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spitalin e Kukësit.

Sipas burimeve të Natos numri i të plagosurve kosovarë nga minat ka arritur në disa dhjetra persona vetëm këto dy ditët e fundit. Gjithmonë sipas burimeve të Natos forcat serbe kanë minuar rreth 80% të kufirit shqiptaro-kosovar. Ndërkohë nesër UNHCR dhe NATO do të shpallin planin e detajuar për kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre./tvklan.al