Janë kthyer nga Prizreni në Shqipëri të gjithë personat e zhvendosur nga zonat e prekura nga tërmeti.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nëpërmjet një statusi në Facebook.

Sipas tij tashmë parku Inovativ në Prizren është zbrazur tërësisht.

“Sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren. Kësisoj u përmbyll edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike. Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri në detyrë ka thënë se çdo ditë ka raporte nga institucionet në vend për rikthim të personave që po qëndronin nëpër shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend.

Në këtë kamp kanë qëndruar fillimisht rreth 500 persona ndërsa mbi 100 të tjerë ishin akomoduar në një sallë të sportit në po këtë qytet, derisa nuk dihet numri I të akomoduarve nëpër shtëpi private dhe objekte hoteliere.

Madje gjatë kësaj periudhe tri nëna nga Durrësi kanë lindur foshnjat e tyre në Kosovë, dy në Prizren dhe një në Pejë.

Tv Klan