Ekonomi sqaron paqartësitë: Nafta falas është për fermerin dhe jo për mjetin

Deputetja e PS Vasilika Hysi deklaroi sot se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e 25 Prillit dhe do ta ndjekë politikën nga distanca. Ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj do të jetë e para në listën e kandidatëve të PS për Tiranën.

Duke komentuar këto zhvillime, ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi në një intervistë për Klan News, është shprehur se Hysi dhe Gjonaj kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për PS-në dhe do vazhdojnë të japin pa marrë parasysh nëse janë në Parlament apo jo.

E pyetur se kur e mendon largimin e saj nga politika, ministrja Ekonomi tha se është akoma herët për një përgjigje të tillë.

“Është akoma herët për një përgjigje, kam disa detyra që duhet të çoj përpara, pastaj mund të kem një përgjigje për këtë”.

Përveç zhvillimeve të fundit në politikë, Ekonomi foli edhe për aplikimet e fermerëve për naftën falas, duke thënë se aplikimet janë të shumta dhe po vazhdojnë të shtohen çdo ditë. Ajo sqaroi edhe paqartësitë e shkaktuara rreth asaj se kush realisht përfiton naftën duke thënë se përfitues nuk është një person që ka një mjet pune por ai që është fermer dhe mund ta vërtetojë këtë me anë të  një çertifikate pronësie, kontratë qeraje apo ndonjë enti shtetëror.

“Fermeri duhet të ketë një nipt, duhet të tregojë që është një operator ekonomik. Marrja e një nipti për fermerin është një gjë shumë e thjeshtë, është vetëm një klik. Naftën e përfitojnë të gjithë ata që kanë një sipërfaqe jo më të vogël se 0.4 hektarë dhe më pak se 1 hektarë. Të gjithë ata që e kanë sipërfaqen e fermës deri në 10 hektarë, e përfitojnë të gjithë naftën. Ata që kanë sipërfaqe mbi 10 hektarë, përfitojnë të gjithë sasinë për 10 hektarë, ndërsa mbi 10 hektarë përllogaritet një koficient lidhur me sasinë e naftës që ka mbetur. Çdo fermer që punon tokën natyrisht që ka o një çertifikatë pronësie të regjistruar te ASHK-ja, o ka një AMTP që mund ta ketë edhe të paregjistruar, ka një kontratë qeraje të lidhur te noteri. Me çdo formë nga këto mund të regjistrohet dhe të marrë naftën që i takon.”

Duke i’u referuar akuzave të Partisë Demokratike se Ministria e Bujqësisë ka favorizuar pika të caktuara për shpërndarjen e karburanteve, Ekonomi tha se gjithë procesi ka qenë mjaft transparent dhe dyshimet e hedhura nga PD nuk janë të vërteta.

Klan News