Ku do të kandidojë? Rama: Vlorën nuk e lë, Durrësit i kam një borxh



Ku do të kandidojë? Rama: Vlorën nuk e lë, Durrësit i kam një borxh

10:17 01/02/2021

Vlorën nuk e lë, por Durrësit i ka një borxh. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama këtë të hënë kur u pyet nga gazetarët nëse e ka vendosur se ku do të kandidojë në zgjedhjet e 25 Prillit. Rama u shpreh se ky është problemi më i vogël që ka.

“Ky është problemi më i vogël, por është e sigurtë që Vlorën unë nuk e lë dhe Durrësit i kam një borxh”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se në listën për zgjedhjet e 25 Prillit do të jetë e harmonmizuar eksperienca e deputetëve që janë sot, me energjinë e atyre që do të vijnë për herë të parë.  

“Nuk bëj komente për emra të veçantë për faktin se emrat e veçantë janë çështje e procesit që vazhdon dhe në fund do të dalë lista e deputetëve duke u bazuar edhe tek puna që secili bën edhe në momentet që flasim duke u bazuar edhe tek gatishmëria për të krijuar një skuadër ku të harmonizohet eksperienca e atyre që janë sot me energjitë e reja të atyre që do të përfshihen në skuadrën e re, kështu që është e kotë të merremi me emra të veçantë”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve në lidhje me deklaratat e ambasadores Yuri Kim se liderët e partive do të mbajnë përgjegjësi për kandidatët e tyre. Rama tha se partitë nuk janë drejtori policie dhe kandidatët do të verifikohen në bazë të letrave që janë në dispozicion.

“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale, nuk është përgjegjësi partie. Partitë nuk janë drejtori policie. Partitë verifikojnë në bazë të ligjit dhe në bazë të ligjit kemi bërë gjithnjë verifikimet. Pastaj nëse dikush merr përsipër të shkojë përpara drejtësisë duke bërë vetëdeklarime të rreme është krejtësisht individuale. Nuk kemi mundësi të ngremë salla torturash në selitë e partive për të nxjerrë deri në fund nëse dikush fsheh diçka që nuk figuron në letrat që janë në dispozicion”, u shpreh Rama.

/tvklan.al







Të ngjashme