Në një rrëfim ndryshe nga herët e tjera, Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin Opinion në Tv Klan ku ka rrëfyer karrierën e tij politike dhe jetën personale.

7 vite në karrigen e Kryeministrit, por 22 vite i angazhuar në politikën shqiptare, Rama thotë se gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit shqiptar, klasa politike në tërësi ka bërë dy katastrofa të mëdha.

Njëra prej tyre është sistemi i pronave, shprehet Kryeministri përballë gazetarit Blendi Fevziu.

Blendi Fevziu: Cilat mund të jenë 2-3 pikat që në këto vite ju mendoni që i kemi bërë gabim. Po kur them i kemi bërë, jo i kanë bërë të tjerët, që dhe ju keni pjesën tuaj të gabimit? Apo gabim të klasës politike. Çfarë do të korrigjoje ti tek vetja?

Kryeministri Edi Rama: Klasa politike nuk është asgjë tjetër përveçse reflektimi i shoqërisë në atë periudhë kohe. Dhe unë kur isha në Francë e kisha qejf që të ndiqja një kanal televiziv të Senatit edhe të Parlamentit, Asamblesë Nacionale, edhe jepeshin aty këto debate komisionesh parlamentare. Por them që nga gjithë ai Parlament i Francës, figurat që flisnin ose që binin në sy ishin një numër shumë më i vogël se numri i gjithë parlamentarëve. Parlamentarët janë përfaqësues të territoreve, janë njerëz që kanë lidhjet e tyre në territore, janë profile komplet të ndryshme, nuk janë Akademia e Shkencave, nuk janë Akademia e Arteve. Dhe në këtë sens, klasa politike shqiptare ka qenë reflektim i shoqërisë. Dhe mos harrojmë që nëse në vendet e tjera gjithë bota ish-sovjetike pas rënies së murit, nuk kishte parti politike alternative, por kishte një kulturë alternative, kishte një jetë kulturore alternative. Ishin njerëz që qarkullonin në një botë shumë të madhe në atë perandorinë e tyre, plus iknin dhe në vende të tjera, kishin parë realitete të tjera. Sidoqoftë ishin elita kulturore që ishin shumë më të gatshme. Kurse këtu kush u bë? Kush e mori stafetën? Kush ishte alternativa e përgatitur? Mendoj që progresi dhe transformimi ka qenë i madh, por sigurisht që në qoftë se do ktheheshim mbrapa, ne kemi bërë në këto 30 vjet si politik, si vend, kemi bërë 2 katastrofa të mëdha. Që është katastrofa e pronës dhe katastrofa e pamundësisë për të kontrolluar zhvillimin. Kemi hedhur në erë gjithë sistemin e pronës, dhe nuk krijuam dot një sistem për shumë e shumë vite. Domethënë, lufta për të vendosur kontrollin e territorit ka filluar në Bashkinë e Tiranës kur unë u bëra kryetar bashkie. Dhe është një luftë që ka vazhduar me hope, ka vazhduar me copa, dhe ka lejuar që shumë nga pasuritë tona që duhet të ishin asete të të ardhmes, të shkatërrohen apo të copëtohen, e të abuzohen. /tvklan.al