Analistët: Rruga euro-atlantike, në rrezik

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Mal të Zi ishte befasues. Me koalicionin pro-serb, të udhëhequr nga Fronti Demokratik, gjithkush pyet se cila do të jetë e ardhmja e vendit të anëtarësuar 3 vjet më parë në NATO.

Analistë të ndryshëm thonë se ky rezultat zgjedhjesh vë në rrezik rrugën euroatlantike të vendit, gjë që e dëshmojnë deklaratat e para që erdhën për zgjedhjet nga Moska dhe Beogradi, të cilat akuzohen se kontribuuan fshehurazi në përmbysjen e pushtetit në Malin e Zi. Ky është rreziku kryesor.

Por një tjetër është edhe vënia në pikëpyetje tashmë e karakterit laik të vendit, pasi Kishës Ortodokse i atribuohet një pjesë e madhe e kontributit në fushatën kundër partisë pro – perëndimore të Presidentit Milo Gjukanoviç. Drejtuesi i saj, Amfilohije Radoviç, ka ndikim të fortë në koalicionin pro-serb.

Me mallkimet e kombinuara me kërcënime ndaj kundërshtarëve, Radoviç dhe ndjekësit e tij mbrojtën hapur kthimin e ideologjisë çetnike neofashiste.

Edhe pakicat kombëtare parashikohet se do të gjenden shumë shpejt nën sulm, duke parë se çfarë ndodhi me protestat në Podgoricë apo Tuz. Aleatët e Frontit Demokratik duken të pafuqishëm për të ndikuar në politikat e kësaj force me orientim të fortë nga Beogradi e Moska, aq më pak kur pjesë e tyre janë parti si URA e shqiptarit Dritan Abazoviç, i cili, edhe pse predikon se është i orientuar nga Perëndimi, është jo pak i zellshëm të mbështesë mendimin e lindur kryesisht në Beograd, se Skënderbeu kishte prejardhje serbe. 

Analistët në Mal të Zi vleresojnë se Gjukanoviç mori këtë rezultat si pasojë e tre faktorëve: miratimi i ligjit për lirinë e fesë 7 muaj para zgjedhjeve, kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia dhe moskryerja e ndryshimeve në nivelet e qeverisjes, pasi në këtë mënyrë, shumë militantë partiakë panë më shumë interesat personale, sesa interesin publik.

Tv Klan