Duke kërcyer nën ritmet latine, Nikolas Maduro u shfaq në një takim me të rinj në Karakas, teksa në një pjesë të kryeqytetit venezuelian nuk ndalen protestat masive kundër presidentit majtist.

Përleshjet e kësaj jave mes mbështetësve të opozitës dhe forcave ushtarake pro-Maduros i kanë marrë jetën 4 personave, me një bilanc në rritje ashtu si edhe numri i të plagosurve që ka arritur në 130.

Megjithatë në analizat e disa të përditshmeve amerikane thuhet se përpjekjet e liderit opozitar Huan Guaido për të nxitur revolta masive e për t’i kundërvënë Maduros ushtrinë, po dështojnë.

Në një opinion të titulluar, “Një ngërç i pabesë në Venezuelë” Nju Jork Tajms shkruan se opozita e Guaidos, i cili njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe mbi 50 vende perëndimore se president legjitim i përkohshëm, doli edhe më i dobët nga protestat e këtyre ditëve. Thirrjes që i drejtoi ushtrisë, iu përgjigjën vetëm disa ushtarakë të rangjeve të ulëta, të pafuqishëm për të rrezuar pushtetin e Maduros.

Ndërsa Washington Post shkruan se me dështime të tilla, opozita po humbet terren. Ndërsa Maduro po bëhet gjithnjë e më shumë imun ndaj tentativave për t’a rrëzuar, duke ulur edhe besueshmërinë e Uashingtonit në opinionin publik vendas megjithë mbështetjen e pakushtëzuar që i jep opozitës duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjen ushtarake.

Tv Klan