Gjatë muajve të fundit Policia e Tiranës ka zhvilluar disa operacione për goditjen e grupeve që shpërdajnë drogëra të forta, kryesisht heroinë. Zonat më të nxehta ku trafikohet lëndë narkotike në Tiranë është ajo e Kombinatit, Laprakës, Porcelanit. Pak ditë më parë, në sajë të operacionit “Perimetri”, katër persona ranë në pranga, pasi shpërdanin heroinë në kryeqytet.

Ndërsa paraditen e së mërkurës është arrestuar një 50-vjeçar pasi iu sekuestruan 174 doza kokainë gati për shitje. Por një ish-përdorues heroine që tashmë mjekohet me metadon, pranon se drogën mund ta sigurosh shumë lehtë .

“Drogën e gjen shumë kollaj. Mjafton të kesh Lekë, ka raste që edhe policia është e përfshirë në shitjen e hëroinës”.

Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i përdoruesve të heroinës. Kjo konfirmohet nga shoqatat që ndihmojnë personat që kanë probleme me drogën.

“Trendi është në rritje. Vitin e kaluar vetëm në Tiranë merrnin trajtim me metadon 150 persona, ndërsa këtë vit numri ka shkuar në 220. Pak ditë më parë kemi hapur edhe një qendër në Berat për t’iu ofruar shërbim personave që kanë varësi nga droga”.

Edhe personat që prangosen për verpra të ndryshme penale, apo që janë të dënuar, marrin trajtim me metadon, ndërsa edhe numri tyre është në rritje.

“Kemi bashkëpunim me oficerët e policisë dhe atë të burgjeve që furnizohen me metadon në qëndrën tonë”.

26 Qershori është dita ndërkombëtare kundër drogës. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 200 milionë persona përdorin drogë të paktën një herë në vit. Nga këta, 25 milionë konsiderohen si të varur nga drogat, ndërsa 15.3 milionë persona në të gjithë botën kanë probleme si rrjedhojë e përdorimit të drogave.

Tv Klan