Në rubrikën “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, këtë javë u trajtua mosmarrëveshja mes dy banorëve të fshatit Domgjon në komunën Fan të Bashkisë së Mirditës.

Problematika daton që prej 15 vitesh, konkretisht në vitin 2001. Fshati Domgjon nuk ka rrjet ujësjellësi dhe banorët mbushin ujë me bidona.

Në seancën e ndërmjetësimit të Eni Çobanit janë z.Aleksandër banor i fshatit Domgjon, i cili ka thirrur z.Nikoll, edhe ky banor i këtij fshati dhe njëkohësisht person që kishte marrë përsipër projektin për ndërtimin e ujësjellësit të fshatit, i parashikuar për periudhën 2001-2003.

Në rubrikën “Shihemi në gjyq” u sqarua se në vitin 2001 nisi një projekt për të ndërtuar ujësjellësin e fshatit Domgjon. Investimi fillimisht nisi nga z.Aleksandër, i cili mori përsipër të kryente punimet si specialist i kësaj fushe, me shpenzimet personale. Ai tha se projekti ishte parashikuar përmes 3 fazave, dhe pikë së pari do të gërmohej për të nxjerrë ujë nga nëntoka.

Më pas, z.Aleksandër u lidh me pushtetin vendor dhe kërkoi investim për këtë projekt. Ministria e Bujqësisë në atë kohë u përgjigj pozitivisht dhe alokoi fondin, që z.Aleksandër thotë se është 1 miliard Lekë. Por, ujësjellësi nuk u ndërtua kurrë dhe fshati është ende pa ujë edhe pas 15 vitesh.

Ndërkohë, z. Aleksandër i kishte dhënë borxh z.Nikoll 2 milionë Lekë të vjetra që ky i fundit ja kishte kërkuar atij dhe disa banorëve të tjerë për të nisur projektin. Këto para, z.Nikoll i kishte premtuar se do t’ia kthente kur të alokoheshin fondet shtetërore. Mirëpo, ai akuzon pushtetin vendor se ka abuzuar me fondet dhe këto para nuk i ka marrë kurrë. Kësisoj, edhe z.Aleksandër, banor i fshatit Domgjon, prej 15 vitesh nuk ka marrë 2 milionë Lekë që ia kishte dhënë borxh. Për më tepër, nëpër banesa nuk kanë as ujë.

Z.Nikoll pretendon se fondet për ujësjellësin janë vjedhur nga zyrtarë dhe drejtues të pushtetit vendor në Mirditë, Prefektura Lezhë. Madje, shumën prej 1 miliard Lekë që ishte alokuar nga Ministria e Bujqësisë në atë kohë, e krahasoi me një kafe!

Kjo çështje ka shkuar edhe në Prokurorinë e Lezhës, ku ishin thirrur për të dhënë shpjegime z.Aleksandër dhe z.Nikoll, mirëpo të dy thonë se nuk u është dhënë vendimi nga organi i akuzës se në çfarë konkluzione kanë arritur për hetimin.

Nikolla: Në vitin 2001 kam nisur një projekt me investimet e mia. Për pamundësi ekonomike, na la në gjysmë të rrugës. Kërkuam ndihmë në shtet. Shteti na u përgjigj. Por çfarë ndodhi? Na e dhanë me dorë të majtë, na e morën me dorë të djathtë. Në 2001 u hartua një projekt i quajtur “Gurra e Re e Dom Gjonit”. Punime nëntokëse 176 metra për të sjellë ujë nga nëntoka për vaditje dhe për ujë të pijshëm. U miratua në 2001, në Shtator 2002 firma zbatuese private nga 140 milionë Lekë na dha vetëm 11 milionë Lekë të vjetra. Dhe këtu përfundoi gjithçka. Kjo punë ka dalë në 2008-ën. Projekti ka qenë në vitet 2001-2003. Brenda këtyre 3 viteve nuk u bë projekti, vetëm te faza e parë e punimeve, që do të thotë gërmim, punim nëntokësor. Në 2008 doli sikur projekti u mor në dorëzim, po se kush e ka marrë nuk e di. Unë në 2003 kam kërkuar prapë, erdhi fondi për herë të dytë, e mori Gjin Lazri, ka qenë drejtor i Drejtorisë së Ujërave në Lezhë. Më ka vjedhur politika, politika e dorës së dytë. Kush janë këta? Pushteti lokal. Këtu bën pjesë drejtori i Ujërave, drejtori i Bujqësisë, kryetarët e partive, kryetarët e komunës.

Aleksandri: Nikolla, me idetë e tija e mori përsipër hapjen e një galerie. Me thënë të drejtën është një vepër gjigande. Ka ec me qindra metra në thellësi të tokës, pa asnjë kusht minimal të sigurimit teknik. Arsyeja kryesore që Nikolla ka faj është se nuk ka qenë transparent me publikun, me banorët e fshatit. Duke qenë se nuk gjeti përkrahjen e banorëve të fshatit, iu drejtua shtetit, pushtetit lokal. Si rregull, ky është sipërmarrësi i punimeve se aty është pronë publike.

Nikolla: Janë dhënë mbi 1 miliard Lekë për objektin, nga Ministria e Bujqësisë.

Ardit Gjebrea: 1 miliard Lekë edhe mos vijë uji në fshat?

Nikolla: Asnjë gjë s’janë ato, ato janë një kafe. Një kafe është 45 milionë Lekë.

Ardit Gjebrea: Një kafe 1 miliard Lekë? Po ku është kjo kafja të vimë ta shohim?

Nikolla: Vetëm faza e parë e punimeve, likujdohet me anë të situacioneve. I pari, 50 metra, u likujduan. Situacioni i tretë është i papaguar, janë 30 milionë Lekë të reja. Që në 2003 këto janë të papaguara. Kur i kam kërkuar Lekë, më kanë thënë s’mi ka dhënë shteti. Shteti i ka dhënë, se i dha Ministria. Në 2008 kur unë bëra padi penale, se padia penale është “o ma gjej ku është, ose ma ke borxh”.  

/tvklan.al