Një qytet që u ndërtua në mes të Xhunglës, u kthye në një monument të inxhinierisë supreme dhe determinimit në Malajzi. Kuala Lumpur është sot kryeqyeti ku jetojnë 1.8 milion banorë.

E parë nga këndvështrimi turistik multikulturalizmi është një tipar dallues i jetës së përditshme në kryeqytetin Malajzian.

Një vend që ofron njëkohësisht hapësirat më të mira për bizneset, por po aq edhe për kënaqësitë e thjeshta të një vizitori.

Ndalesa e Check in këtë herë do të jetë në atë që ndryshe e njohin si Luani i Malajzisë, Kuala Lumpuri. Autorja e emisionit Albana Nanaj ishte e shoqëruar në këtë udhëtim nga gazetari Drini Zeqo dhe sëbashku na treguan atraksionet turistike të këtij destinacioni.

https://youtu.be/F-QbDe68cUA?t=25s

“Njerëzit në Kuala Lumpur vijnë nga të gjitha anët e botës për të vizituar pjesën e zhvilluar me gradaçelat që pulsojnë fuqinë, ashtu sikurse edhe lashtësinë e tempujve e xhamive. 

Nga Singapori në Kuala Lumpur përdorëm një mjet transporti si autobusi që është sa ekonomik, aq edhe i favorshëm për të shijuar panoramën që të shoqëron gjatë rrugës. 

Ajo që të binte në sy në pamje të parë ishte lëvizja disi kaotike e automjeteve”,

tha Zeqo.

Kuala Lumpur është qyteti i 6-të më i vizituar në botë, ku çdo vit vijnë gati 10 milion turistë. Popullisa është heterogjene, ku 45 % janë malajzianë, 43% kinezë, 10% indianë dhe pjesa e mbetur, etnitete të ndryshme.

Çdo gjë nis herët në mëngjes me temperatura të larta rreth 30 gradë, që e arrijnë maksimumin në orët e drekës për t’u ulur më pas gjatë mbrëmjes, kur edhe panorama është më e bukur në perëndim.

Perëndimi në Kuala Lumpur është një nga pjesët më të bukura të ditës.

Si në shumë qytete të botës, tregtia për vendasit ka qenë dhe mbetet e rëndësishme. E nëse do të kishte një listë të tregjeve më të vjetër në botë mes atyre të, Hong Kong, Indisë, Tailandës, Marakeshit e Stambollit, nuk duhet të mungojë edhe pazari qindra vjeçar i Kuala Lumpurit ndërtuar në vitin 1888.

Në fillim ky treg ishte ndërtuar për tregtinë e mishit. Më tej ai pësoi disa transformime, por duke e ruajtur stilin e tij origjinal. Më e rëndësishmja që mund të thuhet për të është se i shpëtoi shembjes apo rrenimit gjatë ndërtimeve masive që kanë ndodhur në qytetet.

Malajzia është një vend që bashkon shumë kultura të cilat kanë bashkëjetuar me njëra-tjetrën. Muzeumi Kombëtar Negara, është një ndalesë kyçe ku mund të marrësh informacione për historinë e Azisë Juglindore dhe të Maljzisë në tërësi.

Në Malajzi fiset e para që kanë jetuar ishin ato Indigjene dhe ende janë të pranishëm, të ndjekur nga Malajzianët, Kinezët dhe Indinët. Por ndikimin e tyre e kanë pasur edhe Persët, Arabët dhe Britanikët.

Një moment historik për këtë vend ka qenë edhe 31 Gushti i 1957, kur kryeministri i parë i Malajzisë lexoi deklaratën e pavarësisë nga Britanikët.

Nëse ndodhesh në Kuala Lumpur vizitat në kullat e larta janë një domosdoshmëri. Kulla Menara, në lartësinë e 421 metrave është një tjetër simbol i padiskutushëm i qytetit.

Kulla është ndërtuar mbi një xhungël të dendur, e cila është ruajtur siç edhe ka qenë nga bimësia e saj. Në hyrje të saj të paralajmërojnë se askush nuk mban përgjegjësi nëse të ndodh diçka, ç’ka ishte një shenjë për kujdesin që duhet të tregosh.

Nga Tirana fluturimi më i shkurtër për në Kuala Lumpur është me ndalesë në Stamboll dhe zgjat 11 orë. Shtetasit shqiptarë hyjnë lirisht pa vizë. Klima është e ngrohtë gjithë vitin, por periudha  më e mirë për ta vizituar është nga Nëntori në Mars.

Për ata që duan të vizitojnë qytetet gjigande aziatike, Kuala Lumpuri mund t’i bashkangjitet vizitës së Singaporit, Bangkokut ose Hong Kongut, me çmime nga 1300 euro personi.

Kuala Lumpuri me ngjyrat dhe kontrastet e tij është një derë e hapur për një udhëtim të plotë në zbulim të  Malajzisë.

/tvklan.al