Shqipëria U-19 për vajza, u mposht 2-1 nga moshataret e Malit të Zi, në sfidën e parë të raundit të dytë të Kampionatit Europian në grupin B4.
Kombëtarja kuqezi e nisi shumë mirë ndeshjen në “Elbasan Arena”, duke fituar penallti që në minutat e para. Megjithatë Xhesika Ndoj u ndal nga portierja kundërshtare.
Ndoj u shfaq sërish protagoniste në minutën e 16-të, por këtë herë me gol. Me një realizim të shkëlqyer ajo i dha avantazhin Shqipërisë.
Skuadra mike reagoi menjëherë dhe barazoi në minutën e 19-të. Katerina Cadenovic u tregua e saktë nga pika e penalltisë. Mali i Zi mori avantazhin në minutën e 25-të me golin e Tatjana Osmajic.
Gjatë pjesës së parë, Shqipëria i shkoi shumë pranë golit të dytë me Klesta Agon, por goditja e sulmueses u ndal nga shtylla.
Vajzat kuqzi tentuan deri në fund për të barazuar ndeshjen, por pa sukses. Në fund ndeshja u mbyll me fitoren e Malit të Zi 2-1.
Po sot, u luajt edhe sfida tjetër e grupit mes Irlandës së Veriut dhe Azerbajxhanit. Në “Shtëpinë e Futbollit”, triumfoi ekipi i Irlandës së Veriut me rezultatin e thellë 4-0.
Shqipëria e vajzave do të zhvillojë sfidën e dytë ndaj Azerbajxhanit më 21 Shkurt, në stadiumin “Egnatia Arena”, në orën 14:30. /tvklan.al