Raul Castro ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë, vendimi vjen teksa pandemia e ka zhytur vendin në krizë

Raul Castro ka dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Komuniste të Kubës. Reuters raporton se kjo  nënkupton se ky shtet nuk do të ketë dikë nga familja Castro në mesin e liderëve kryesorë, për herë të parë prej kur vëllai i tij Fidel ka fituar pushtetin në Revolucionin e vitit 1959.

Dalja në pension do të thotë që për herë të parë në gjashtë dekada Kuba nuk do të ketë një Castro që drejton zyrtarisht politikën e saj.

“Për aq sa të jetoj, unë do të jem i gatshëm që të mbroj shtetin, revolucionin dhe socializmin me shumë forcë se kurrë më parë”, ka thënë ai.

Castro nuk ka përkrahur ndonjë pasardhës të tij, por në të kaluarën ka treguar mbështetje për Miguel Diaz-Canel, i cili është zgjedhur president i Kubës, pas Castros më 2018.

Ndryshimi në krye të partisë qeverisëse të Kubës vjen ndërsa udhëheqja e ishullit po trajton krizën e saj më serioze ekonomike në dekada. Pandemia Covid-19, reformat financiare dhe kufizimet e vendosura nga administrata Trump kanë goditur ekonominë, e cila u tkurr me 11% vitin e kaluar.

Raul njihet për arritje të marrëveshjes me ish-presidentin amerikan Barack Obama më 2014, çka ka rezultuar me forcim të lidhjeve në mes të dy vendeve edhe pse një pjesë e mirë e marrëveshjes u përmbys më pas nga ish-presidenti Donald Trump.

Çdo shpresë për të përmirësuar lidhjet me SHBA sidoqoftë mund të duhet të presë pasi administrata Biden ka treguar pak prirje për të hequr sanksionet më të ashpra të administratës Trump ndaj Kubës.

Klan News