Kubanët do të kenë prona private për të parën herë pas 6 dekadash. Qeveria e Havanës do të paraqesë këtë javë në parlament kushtetutën e re, me një prej reformave më të rëndësishme drejt demokratizimit të vendit.

Njohja e pronës private synon të thithë investitorët e huaj, të cilët do të kenë më tepër garanci për investimet e tyre në Kubë. Por Kushtetuta ka sërish si bazë ekonominë e planifikuar socialiste, ku sektorët më të rëndësishëm dhe ndërmarrjet e mëdha do të vijojnë të jenë pronë shtetërore.

Shit-blerja e pronave u ndalua në vitin 1959 kur pushtetin e mori diktatori komunist Fidel Kastro. Por hapin e parë drejt pronës private e hodhi pas 51 vjetësh vëllai i tij Raul. Me një vendim të vitit 2010, ish-presidenti lejoi vetëpunësimin, duke u dhënë jetë bizneseve të para të privatëve si restorante e sallone bukurie. Me kushtetutën e re, mandati presidencial do të jetë i kufizuar në 5 vite. Kushtetuta e re është hartuar nga Raul Kastro, i cili në prill ia la drejtimin e vendit Migel Diaz Kanel, ndërsa vetë drejton akoma partinë komuniste.

Kushtetuta e re do të miratohet javën në vijim në parlament, përpara se t’i nënshtrohet referendumit popullor më vonë gjatë këtij viti.

Tv Klan