Kufijtë e normalitetit – Heiko Maas në Moskë

Kufijtë e normalitetit – Heiko Maas në Moskë

08:20 23/08/2019

Ka shenja të çtensionimit mes Gjermanisë dhe Rusisë. Por ka edhe diametralisht të kundërtën e kësaj. Ndaj tani as që mund të mendohet një samit G8 dhe as fundi i sanksioneve, mendon Fabian von der Mark.

Ministri i Jashtëm Heiko Maas e ka parë Rusinë dy ditë në perspektiva të ndryshme. Spektri arrin nga një grindje e hapur me ministrin e Jashtëm rus lidhur me simpatinë ndaj shoqërisë civile, e deri tek vizionet për bashkëpunimin ekonomik.  Në aspektin politik Moska është herë partnere dhe herë kundërshtare, herë mike dhe herë armike. Një tendencë të qartë nuk mund ta dallosh dhe me sa duket kjo kështu do të mbetet.

Në nivel ndërkombëtar bashkëpunimi në shumë fusha është i rëndësishëm. Herë të dyja palët nuk kanë pikëtakime (si në politikën ndaj Sirisë), herë ato kanë interesa të përbashkëta (si në politikën ndaj Iranit). Të flitet parimisht me njeri-tjetrin për këto tema është e drejtë dhe e rëndësishme. Në këto fusha është i mundur një bashkëpunim i ri e madje edhe besueshmëria.

Nevojitet qartësi

Të vështira janë temat, që e prekin direkt Rusinë, si konflikti në Lindje të Ukrainës. Gjermania do të ndërmjetësojë edhe më tej mes Ukrainës dhe Rusisë. Të bësh të qartë, se pas lëshimit të parë të Ukrainës tani topi është në fushën ruse, kjo është e drejtë dhe nuk do të thotë se je i njëanshëm. Kështu ishte pra me kërkesën e përsëritur të Maas ndaj Lavrovit, për lirimin e të burgosurve ukrainas. Nevojitet të flitet qartazi e ky është një parakusht edhe për të gjitha temat e tjera.

Nëse Rusia ëndërron, që të ripranohet në rrethin e shteteve të grupit G8 ose të lirohet prej sanksioneve të BE-së,atëherë përgjigja e Gjermanisë duhet të mbetet e qartë: Pa përparime në procesin e paqes me Ukrainën nuk mund të ketë lëshime të mëtejshme. Gjermania gjysmën e vitit të kaluar ka ndërmarrë disa hapa, gjë që prej disave u konsiderua si “business as usual” ndërsa disa të tjerë sërish janë zhgënjyer.

Fillimisht Gjermania ndihmoi që Rusisë t’i rijepet e drejta e votës në Këshillin e Europës – Moska u suspendua për shkak të aneksimit të Krimesë (Por ende asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim). Po ashtu “Dialogu i Petersburgut” mes Berlinit dhe Moskës, që u pezullua, ka rifilluar tashmë në nivel ministrash. Megjithatë ende nuk mund të thuash, që këto lëshime kanë ҁuar në thellimin e vlerave të përbashkëta. Përkundrazi duket se më shumë opozitarët ndihen të konfirmuar, kur bëjnë fjalë për Appeasement-Politik, që i shërben vetëm qeverisë së Putinit.

Jo vetëm në anën e opozitës

Qëkurse janë bërë këto lëshime Moska i ka mposhtur me dhunë protestat e opozitarëve dhe ka arrestuar gazetarë. Kjo kurrsesi nuk është as pohim i vlerave të përbashkëta dhe as  mirënjohje. Heiko Maas ka të drejtë, kur ai e kritikon Rusinë për shkeljen e të drejtave të njeriut, në kontekstin e anëtarësimit në Këshillin e Europës i kujton asaj detyrimet që ka dhe flet qartazi për përgjegjësinë e saj për shkeljen e Marrëveshjes së ҁarmatimit bërthamor INF. E Gjermania duhet të vazhdojë ta bëjë këtë, të flasë me një gjuhë të qartë.

Shoqëria civile në Rusi dëshiron mbështetje nga Gjermania. Por që Gjermania rë jetë tërësisht në anën e opozitës do të ishte gjithashtu po aq e gabuar. Kundrejt qeverisë së Putinit jo liberale, Gjermania duhet të angazhohet për vlerat dhe liritë. Kjo nuk e përjashton bashkëpunimin me Moskën në ato fusha, ku është në interesin vetiak dhe atë ndërkombëtar. Por Gjermania duhet edhe më tej të tregojë, se Rusia do të kishte një partner më të mirë, nëse do t’i respektonte këto vlera të përbashkëta. Më shumë normalitet tani për tani nuk mund të ketë./DW

Të ngjashme
UKT