“Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm”

“Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm”

16:43 11/06/2018

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se hapja e pikës së re kufitare në Stançiq tregon punën e përbashkët të dyja vendeve Kosovës dhe Maqedonisë në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Ajo këto komente i bëri me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e pikës kufitare Kosovë-Maqedoni, në fshatin Stançiç, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe shefi i delegacionit të BE-së në Shkup.

Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, ambasadori Samuel Zbogar, ka thënë se kjo pikë kufitare do të ndikim pozitiv për zhvillimin ekonomik të banorëve të zonave lokale ndërmjet dy vendeve, por edhe për stabilitetin politik të rajonit të gjerë.

Ai tha se ndërtimi i pikës kufitare në Stançiq do të shtojë edhe sigurinë në kufi dhe zhvillimin e turizmit në këto anë.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar se ka pasur vonesa për ndërtimin e kësaj pike kufitare me Maqedoninë, por më në fund ky projekt po realizohet duke zvogëluar dukshëm rrugën që banorët e këtyre zonave bënin në të kaluarën.

Ai me këtë rast ka porositur se kufijtë e shtetit të Kosovës janë të paprekshëm dhe të pacenueshëm, raporton KP.

“Hartat politike në Ballkan dhe kufijtë historikisht në këto dy-tre mijë vitet e fundit janë bërë dhe ribërë, por ne kemi qëndruar këtu si popull dhe kufijtë e sotëm të Republikës së Kosovës janë të paprekshëm, të pandryshuar dhe të pacenuar”,

ka thënë Hoxhaj.

Edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, tha se ndërtimi kësaj pike kufitare ka dimension të rëndësishëm në raportet ndërmjet dy shteteve, projektet e të cilave vetëm se po zgjerohen dhe një komunikim pa barriera ndërmjet shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit.

Ndryshe, kjo është pika e tretë e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, por ajo e cila dallon këtë pikë është se ndërtohet në konceptin e menaxhuar të kufirit, me një pikë të përbashkët kufitare, e cila hyn në kategorinë e pikës A që nënkupton edhe për mallra dhe udhëtarë.

Faza e parë përfshin udhëtarët dhe automjetet dhe në të ardhmen e afërt do të ketë mundësi edhe për transportin e mallrave./KlanKosova
Të ngjashme
Kolegji Profesional AKSHI