Meta: Nuk do të lejoj të shkelet Kushtetuta

Deklaratat e kryeministrit grek për zgjerimin e gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, ka trazuar edhe një herë politikën dhe opinionin publik shqiptar.

Duke marrë shkas pikërisht nga akuzat për tradhti kombëtare nga ana e qeverisë shqiptare, Kryeministri Edi Rama në një reagim të tijin shprehet se padituria nuk është argument, ndërsa shton se ky debat është një sajesë e vjetër që përdoret nga politika për të ushqyer helmin e nacionalizmit.  

“E vërteta është e thjeshtë. Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit. Sa për dijeni të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, çka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë”, shkruante Rama.

Më tej, ai shprehet se negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cenojnë dot këtë të drejtë për të dyja vendet, ndërsa thekson se arsyeja e sulmit kundër marrëveshjes me Greqinë, s’ka asnjë lidhje me të vërtetën, por vetëm me luftën për pushtet, duke shtuar se ai dhe Partia Socialiste nuk do ta përdorin kurrë pushtetin në dëm të interesit kombëtar.

“Kushdo që është i interesuar për këtë çështje, s’ka pse bëhet bashkëfajtor me ata që detin e duan kos për orekset e tyre politike dhe që pa pikën e turpit, ushqejnë paditurinë me helmin e nacionalizmit. Por duhet t’i referohet burimeve serioze të informacionit e jo gojës së sharlatanëve politikë e të karagjozëve digjitalë, duke u mbrojtur nga virusi i shpifjes me maskën e dijes. Unë dhe Partia Socialiste, mund të kemi shumë të meta, mund të bëjmë plot gabime, por kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar!”

Pjesë e këtij debati u bë edhe Presidenti Ilir Meta, i cili duke folur nga Drashovica e Vlorës, garantoi se nuk do të lejojë të preket kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e detit me Greqinë.  

“Pas asnjë diskutim shqiptarët duhet të jenë të sigurt se Presidenti gjithmonë do të mbrojë kushtetutën për cështjen në fjalë do të respektoj vendimin e gjykatës Kushtetuese dhe këtë duhet ta bëjnë të gjitha institucionet tona”.

Për të diskutuar mbi këtë çështje, në Shqipëri pritet të vijë për vizitë edhe ministri i Jashtëm grek, Dendias.

Tv Klan