Pjesë e diskutimeve në negociatat për detin, është edhe territori detar ku ndodhi incidenti i Korfuzit në vitin 1946, për të cilin Gjykata e Hagës bëri përgjegjëse qeverinë shqiptare e cila edhe u dënua. Ish-kryeministri Majko thotë se kufiri me Greqinë ka qenë i përcaktuar. Sipas tij, edhe nëse negociatat nuk prodhojnë zgjidhje, në gjykatë historia është në anën tonë.

Edhe nëse me Greqinë nuk gjendet gjuha e përbashkët për të konkluduar një marrëveshje për ujërat, Shqipëria ka disa pikë në favor të saj. Gjykata ndërkombëtare e Hagës, e cila ka për detyrë të zgjidhë konflikte të tilla mes shtetesh, e ka përcaktuar njëherë si territor shqiptar pjesën e detit për të cilin po negociohet. Pandeli Majko, ish-Kryeministër dhe ish-ministër i Mbrojtjes, i referohet pikërisht incidentit të Korfuzit në 1946-n me qeverinë britanike. Sipas tij, Shqipëria u dënua për një ngjarje që ndodhi në ujëra që u konsideruan të sajat.

Incidenti i Korfuzit daton në Tetor të 1946-s kur dy anije angleze hasën në mina detare, për të cilat u akuzua qeveria shqiptare se i kishte vendosur. Territori detar u quajt shqiptar nga Gjykata e Hagës, dhe Shqipëria detyrohej t’i paguante Anglisë 844 mijë Paund. Pas refuzimit, Britania e Madhe konfiskoi arin që gjermanët i kishin marrë Shqipërisë gjatë luftës. Sipas Majkos, kufiri me Greqinë, ndryshe nga sa pretendohet, ka qenë i mirëpërcaktuar.

Në 24 janar të vitit 2008, parlamenti shfuqizoi ligjin e 2001-shit për kufirin shtetëror të Shqipërisë, duke rrëzuar kufijtë detar me Greqinë dhe Malin e Zi. Arsyeja ishte hapja rrugë për paktin e ri detar me Greqinë, i rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese. Tashmë që negociatat për marrëveshjen e re kanë turbulluar politikën e ditës, Majko ka vetëm një këshillë: “

Në këtë drejtim reagimet duhet të jenë shumë të rezërvuara dhe mundësisht ne të politikës fusim hundët shumë. I takon ekspertëve dhe sidomos atyre të thonë fjalën e fundit”.

Gazetare: Elona Gjylmi

Burimi: Klan Plus