Rënia e temperaturave gjatë ditëve në vijim pritet të shoqërohet me ngrica dhe reshje dëbore që do të vështirësojnë qarkullimin në disa akse rrugore në vend. Në zonat malore termometri do të zbresë deri në minus 15 gradë gjatë natës, çka mund të sjellë bllokimin e disa sgmenteve në veri dhe juglindje të vendit.
Në veri akset nacionale ku këshillohet që drejtuesit e mjeteve të marrin masat për përdorimin e zinxhirëve janë Rruga e Kombit, rruga Kukës – Morinë, ajo Shkodër – Hani i Hotit, Kukës – Bajram Curri dhe Peshkopi – Kalaja e Dodës.
Në juglindje kërkohet të bëhet kujdes në akset Librazhd – Stëblevë, Elbasan – Qafë Thanë, Korçë – Pogradec, Korçë Kapshticë dhe Elbasan – Cërrik.
Ndërsa në jug dhe jugperëndim të vendit më problematikë do të jenë akset Vlorë – Orikum, Qafa e Llogarasë, Gjirokastër – Kakavijë dhe Qafa e Muzinës.
Veç apelit për qytetarët Ministria e Brendshme ka njoftuar se do të monitorojë hedhjen e kripës në rrugë, ndërsa patrulla të gatshme të policisë rrugore do të jenë në shërbim në të gjitha akset ku parashikohet të ketë vështirësi.
Tv Klan