Mania për të fituar sa më shumë në kurriz të konsumatorit bën që shpesh pasojat të jenë të rënda për qytetarët, të cilët helmohen nga ushqimet që servirin restorantet në dasma.

Kjo gjë po ndodh shpesh, kryesisht në lokalet e dasmave, ku abuzimet janë të mëdha.  Shqetësimi ngrihet nga Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast. Edhe pse kontrollet janë shtuar, sërish ka probleme sa i përket cilësisë së ushqimeve.

Drejtori i ZMK, Hasan Stafa tha:

“Mbetet ushqimi ditor aty. Në vend që të hidhet, vazhdojnë i mbajnë aty dhe të nesërmen apo të pasnesërmen, kur klientët shkojnë për të konsumuar diçka, ata e nxjerrin nga frigoriferi, e ngrohin dhe e servirin si të freskët. Kemi raste të tilla në Fushë Krujë, Lezhë, Vlorë, patëm rastin e Elbasanit”.

Një tjetër fenomen që po ndodh është edhe  shitja e produkteve të skaduara në zona që janë larg kontrollit të autoriteteve.

Drejtori Stafa shtoi:

“Ka tregtarë e subjekte që nuk e deklarojnë mallin në prag skadence apo të skaduar, por me forma spekulative korrigjojnë datat e skadencës dhe në momente të caktuara, natën e çojnë në zona periferike, ku konsumatori është më pak i vëmendshëm dhe kontrolli është më i vogël. Por ne jemi hedhur totalisht në sulm për të zbatuar ligjin”.

Për çfarë duhet të jetë më i kujdesshëm konsumatori shqiptar?

“Ata që tregtojnë gjithë ditën kryesisht në zonën e plazhit fruta e perime, të cilat tregtohen në mënyrë informale nga njerëz të paautorizuar. Gjithashtu akulloret, të cilat bëhen në mënyrë artizanale”,

shpjegoi drejtori i ZMK.

Kujdes duhet edhe në supermarketet e mëdha, për të cilat Hasan Stafa tregoi:

“Shohim vezët që nuk ruhen në temperaturën 4 gradë Celsius. Shohim produktet e mishit dhe nënproduktet e tij, produket dhe nënproduktet e qumështit, të cilat nuk ruhen në 4 gradë Celsius”.

Pranë  Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit ka rreth 14 ankesa në ditë për produkte të ndryshme. Në muajin Korrik kishte 162 ankesa dhe në bashkëpunim me AKU i është dhënë zgjidhje 60% të rasteve.

Burimi: Klan Plus