Kujdesi dentar duhet të fillojë që kur fëmijëve u del dhëmbi i parë i qumështit. Ariola Cara, mjekja stomatologe e ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, thekson se këta fëmijë që ushqehen me qumësht gjiri dhe për të cilët nuk rekomandohet kripa apo sheqeri deri në moshën 1-vjeçare, kanë nevojë për një pastrim shumë të thjeshtë të gojës. Me rritjen e moshës dhe daljen e dhëmbëve të tjerë, prindi duhet të fokusohet në kultivimin e kujdesit dhe higjienës dentare te fëmija.
Ariola Cara: Me një garzë, me ujë me fiziologjik. Nuk është e nevojshme patjetër të jetë sterile. Me një napë, mjafton që të pastrohet. Nëse fëmija nuk ha sheqer, nuk është se mund t’i mbeten shumë acide dhe mund të kalohet ky pastrimi. Kur bëhen 2, 3, 4 dhëmbë, me një furçë të vogël gjithmonë është prindi ai që duhet ta edukojë fëmijën dhe duhet t’ia japë shembullin konkret që hajde dhe t’i lajmë dhëmbët.
Pas daljes së dhëmbëve të qumështit, kur dhëmbët e parë të përhershëm janë të shëndetshëm dhe të paprekur nga kariesi, stomatologia këshillon që fëmijëve t’u vendoset një shtresë mbrojtëse për të ruajtur shëndetin dentar.
Ariola Cara: Në moshën 5 vjeç e gjysmë, 6 fillon del dhëmbi i parë i përhershëm. Ky dhëmbi i parë i përhershëm ka shumë rëndësi sepse shumica e prindërve e ngatërrojnë dhe mendojnë që ky është dhëmb qumështi dhe ia varin një çikë.
Katerina Trungu: Si mund ta ngatërrosh?
Ariola Cara: E ngatërrojnë, thonë pse do t’i ndërrohet ai, nuk e kanë të gjithë këtë lloj informacioni dhe ajo dhëmballa që del 6 vjeç është shumë e rëndësishme që të pastrohet dhe të bëhet me një mbushje që quhen silante. Silante nuk është një mbushje që dhëmbi gërryhet. Është një shtresë mbrojtëse që i vendoset dhëmbit për ta mbrojtur e cila lëshon flor dhe në këtë mënyrë duke qenë që dhëmbët kur dalin kan shumë gropëza të theksuara, tuberkula siç i themi ne, mbeten mbeturinat ushqimore dhe duhet që të vendoset kjo shtresa në mënyrë që fëmijëve mos t’u prishen.
Agida Koçi: Duhet vendosur menjëherë, sapo del?
Ariola Cara: E mira është sapo del. Bëhet një pastrim me furçë, hapen poret e dhëmbit, është shumë e padhimbshme, pa mpirje dhe mendoj që do ishte seanca e parë më e mirë për një fëmijë që nuk ka dhëmbë të prishura.
Cara shton se është e këshillueshme që silantet të vendosen edhe në moshën 3-vjeçare kur përfundon dalja e dhëmbëve të qumështit. Kohëzgjatja e tyre është 5-10 vjet, por në varësi të shëndetit të dhëmbit dhe përkujdesjes, mund të rezistojë edhe gjatë gjithë jetës./tvklan.al