Thirrjet për ta hequr nga qarkullimi numrin 10-të kanë rënë në vesh të shurdhët te drejtuesit e Barcelonës. Zëvendësimi i një idhulli si Lionel Messi shihet si e vështirë në Katalonjë që kërkuan nga klubi që numri i më të mirit në skuadër të hiqej.

Megjithatë, numri 10-të do vijojë të jetë pjesë e Barcelonës, aq më tepër në shpinën e një futbollisti premtues si Ansu Fati.

Spanjolli ka prezantuar për tifozët fanellën që do mbajë në sezonin e ri, pikërisht atë me numrin 10-të. Ansu Fati debutoi me numrin 22 dhe më pas me atë 17-të me katalanasit, teksa tashmë do veshë me krenari fanellën me numrin 10-të, e famshme dhe e veshur nga legjenda si Messi, Ronaldinjo e Rivaldo.

Pavarësisht se është vetëm 18 vjeç dhe ende po rikuperohet nga dëmtimi, Fati është pjesë e historisë së Barcelonës, duke thyer rekorde me ekipin dhe kombëtaren spanjolle. Ai debutoi në gusht 2019 me Barcelonën dhe gjashtë ditë më vonë, shënoi gol me ekipin e parë për t’u bërë lojtari më i ri që shënon në kampionat për Katalanasit.

Klan News